Bota

Bie qarkullimi i varianteve Lambda e Mu të koronavirusit, por Delta dominon!

Varianti Lambda i identifikuar për herë të parë dhjetorin e kaluar në Peru, tërhoqi vëmendjen e ekspertëve si një kërcënim i ri, por duket se po tërhiqet. Rastet me të po rriteshin në korrik, por gjatë katër javëve të fundit është shënuar rënie e të infektuarve, referuar të dhënave të GISAID-it, bazë të dhënash që gjurmon variantet SARS-CoV-2.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikoi Lambdan si “variant interesi”. Kur OBSH-ja e vendos një variant në këtë kategori do të thotë se mbart mutacione të dyshuara se shkaktojnë ndryshim në transmetueshmëri ose sëmundje më të rënda. Studimet laboratorike kanë treguar se ka mutacione që i rezistojnë anti-trupave të krijuara nga vaksinat.

Edhe qarkullimi i variantit Mu, i identifikuar në Kolumbi gjatë muajit janar, po ulet në nivel global, por sipas OBSH-së duhet të vëzhgohet nga afër. Më 30 gusht, u shpall variant interesi, për shkak të disa mutacioneve shqetësuese që kanë të bëjnë me rritjen e transmetueshmërisë dhe uljen e mbrojtjes nga ana e imunitetit.
Numri i rasteve të identifikuara si Mu, ra nën 0.1% në nivel global. Ky variant përfaqëson 39% të rasteve në Kolumbi dhe 13% në Ekuador, vende ku përhapja e tij është rritur vazhdimisht. Shpërthime ka patur gjithashtu në Amerikën e Jugut e në Europë.

Por nuk ka dyshime se më shqetësuesi nga gjitha variantet mbetet Delta, që u zbulua për herë të parë në Indi. Ky variant po godet popullsitë e pavaksinuara në shumë vende, përfshirë Shqipërinë. Sipas përkufizimit të OBSH-së, Delta ka aftësinë të përhapet më shpejt, më pas te pacientët të shkaktojë sëmundje më të rënda apo të ulë efikasitetin e vaksinave e të medikamenteve për trajtim. Delta mund të shkaktojë simptoma dy deri në tre ditë më shpejt, duke i dhënë më pak kohë sistemit imunitar të njeriut që të përgjigjet dhe të krijojë një lloj mbrojtjeje.

Ekspertët thonë se sa më shumë njerëz duhet të vaksinohen, pasi grupet e mëdha të të pavaksinuarve krijojnë mundësinë që virusi të përhapet e të shndërrohet në variante të reja. Sipas tyre, përpjekjet për vaksinim duhet të rriten ndërkombëtarisht për të shmangur shfaqjen e varianteve të pakontrolluara, në mesin e popullatave në vendet e varfra.

Vaksinat që përdoren aktualisht parandalojnë që të infektuarit të sëmuren rëndë e të vdesin, por ato nuk bllokojnë infeksionin. Virusi është ende i aftë të shumohet në hundë, madje edhe në mesin e njerëzve të vaksinuar, të cilët më pas mund ta transmetojnë.