Aktualitet

Bilanci i përjavshëm policor, 115 të arrestuar, 25 në kërkim!

Policia e Shtetit bën bilancin e javës, që po mbyllet me 115 të arrestuar, 270 të proceduar penalisht e 25 të shpallur në kërkim. Janë kapur në total 38 persona në kërkim, nga të cilët: 36 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar.  Janë zhvilluar 22 operacione policore të koduara: “Discover”, “Double strike” (2 raste), “Pasagjeri”, “Last box”, “Medicines”, “Share”, “Benefit”, “Bregdeti i lirë”, “Makineta”, “Diesel”, “Fields”, “Zalli i Bazit”, “GJURMA”, “Around”, “Laku”, “Kreshpan”, “Perimetri 185”, “Perimetri 186”, “Knock Down” (në vijim), “Restart 10” dhe “Matrix”.

Shërbimet e Policisë vijuan kontrollet, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

“Zalli i Bazit”/Mat – Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike në ambient të hapur, vihet në pranga 44-vjeçari përsëritës në këtë veprimtari kriminale, shpallet në kërkim vëllai i tij; “Fields”/Sarandë – U kapën në flagrancë duke vaditur bimët narkotike, në pranga 2 vëllezër; “Laku”/Pukë – Kapen dhe arrestohen në flagrancë, duke vaditur bimët narkotike, 3 shtetas, sekuestrohen 527 bimë të dyshuara narkotike kanabis; “Kreshpan”/Fier – Sekuestrohen 2 armë gjahu, 8 kilogramë kanabis dhe 163 bimë kanabisi, vihen në pranga 47-vjeçari dhe djali i tij, shpallet në kërkim djali tjetër;

“Restart 10”/Korçë – Sekuestrohen 30 kg kanabis, vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër; Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim, në kuadër të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Knock Down”, të finalizuar 3 muaj më parë në Korçë; “Share”/Elbasan – Sekuestrohen sasi heroine dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, vihet në pranga 37-vjeçari, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Si rezultat i kontrolleve masive, operacioneve dhe goditjeve nga DVP-të në qarqe u sekuestruan rreth 51 kg lëndë narkotike kanabis, sasi heroine, mijëra bimë kanabis, shuma parash të përfituara nga veprimtaritë e ndryshme kriminale, medikamente të kontrabanduara, 4 radio si ato të Policisë, 3 automjete, 21 aparate celulare, targa shqiptare e të huaja, 2 palë dylbi, dokumente të falsifikuara dhe 7 mjete lundruese.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 9 raste dhe janë sekuestruar 1 snajper, 7 armë zjarri, 3 armë gjahu, 1 pushkë sportive, 6 thika, krehëra pistolete, silenciatorë, pajisje të ndryshme armësh, 1 dorezë hekuri dhe 1 shufër metalike.  Janë goditur 12 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 42 raste të dhunës në familje. Janë evidentuar dhe goditur 20 raste të krimeve mjedisore, 5 raste të organizimit të lojërave të fatit dhe 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 24 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 26 raste. Janë evidentuar dhe goditur 11 raste të veprimtarisë kriminale me objekt zjarrvënien e qëllimshme dhe janë proceduar penalisht autorët e dyshuar.

Policia Rrugore vazhdon monitorimin në të gjitha akset, duke përdorur makinat inteligjente.

Gjatë kësaj jave, u pezulluan 466 leje drejtimi, nga të cilat: 360 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 67 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 39 për qarkullim në sens të kundërt. Janë arrestuar 35 drejtues mjetesh, nga këta: 20 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 15 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Janë goditur nga Policia Rrugore e Tiranës 2 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore dhe 2 raste të drejtimit të automjetit, nën efektin e lëndëve narkotike. Janë vendosur 15.512 masa administrative, për shkeljet që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.

Me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shtetasve që kryejnë manovra të rrezikshme me mjete lundruese, duke rrezikuar jetën e pushuesve, u bllokuan 7 mjete lundruese “Jet ski”.

Gjatë kësaj jave u kapën 7 shtetas në kërkim, 5 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar. Janë goditur 10 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit e të dhënies ndihmë, po për kalim të paligjshëm të kufirit.  Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe 5 të tjerë për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. Gjithashtu, janë goditur 2 raste të mitëdhënies dhe 2 raste të veprës penale “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”.