Aktualitet

Bilanci javor i policisë, mbi 630 të arrestuar, proceduar e shpallur në kërkim!

Policia e Shtetit bën bilancin e javës që po lemë pas e ku një prej momenteve kulmore ishte puna për menaxhimin e finales historike të Conference League, Roma-Feyenoord, të zhvilluar në “Air Albania”, më 25 maj. “U realizuan me sukses mbi 200 eskortime të tifozëve, delegacioneve e skuadrave, pjesëmarrës në finalen e UEFA Conference League”.

Policia finalizoi me sukses operacionin policor ndërkombëtar të koduar “Extraction 4”, si rezultat i të cilit u riatdhesuan në Shqipëri, nga kampet e përqendrimit në Siri, 13 shtetas. Operacioni vijon, me qëllim identifikimin, lokalizimin, nxjerrjen dhe riatdhesimin e të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen në këto kampe, në Siri.

Gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 633 persona, nga këta: 144 u arrestuan, 461 u proceduan penalisht dhe 28 u shpallën në kërkim. Po ashtu, u kapën në total 48 persona në kërkim, 44 prej tyre në kërkim kombëtar dhe 4 në kërkim ndërkombëtar.

Policia ka zhvilluar 20 operacione: 4 për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve; 1 operacion ndërkombëtar për kapjen e një personi të dënuar me 14 vjet burgim, për vrasje; 4 për goditjen e veprimtarisë kriminale të kontrabandimit të emigrantëve të paligjshëm dhe disa operacione të tjera, për kapjen e personave në kërkim kombëtar, si dhe për goditjen e armëmbajtjes pa leje e lojërave të fatit.

Gjatë kësaj jave u evidentua dhe shkatërrua 1 laborator që shërbente për prodhimin e kriptomonedhave dhe 1 ambient i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit, si rezultat i të cilëve u sekuestruan 16 pajisje që gjeneronin kriptomonedha, 57 kg bimë narkotike cannabis sativa në proces tharjeje dhe 100 bimë të tjera të kultivuara.

Si rezultat i operacioneve dhe goditjeve nga DVP në qarqe, gjithashtu u sekuestruan dhjetëra doza me kanabis dhe kokainë, kallëpe me lëndë të dyshuar plasëse, mijëra bimë narkotike, pajisje të ndryshme që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, sasi të konsiderueshme parash të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale, 13 automjete, 1 motomjet dhe 17 celularë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 12 raste dhe u sekuestruan 4 armë zjarri, 1 armë gjahu, 6 thika, 4 doreza metalike, municion luftarak, etj.

Po ashtu janë goditur 8 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 58 raste të dhunës në familje. Gjithashtu, është parandaluar 1 ngjarje kriminale, në fushën e krimeve kundër jetës dhe personit.

Policia evidentoi dhe goditi 31 raste të krimeve mjedisore; 2 raste të organizimit të lojërave të fatit dhe 3 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 32 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 30 raste.

Policia Rrugore vijoi edhe gjatë kësaj jave monitorimin në akset rrugore më me risk duke përdorur makinën inteligjente “Poliscan”, lexuesin automatik të targave, radarët automatikë të vendosur në flotën e automjeteve të reja, kamerat dhe mjetet e tjera të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Gjatë kësaj jave janë pezulluar 689 leje drejtimi, nga të cilat: 523 për tejkalim shpejtësie mbi normat e lejuara, 116 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 50 për qarkullim në sens të kundërt. Po ashtu janë arrestuar 50 drejtues mjetesh, nga këta: 19 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 31 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Policia arrestoi 2 drejtues mjetesh për drejtim automjeti nën efektin e lëndëve narkotike, si dhe vendosi 14.832 masa administrative. Po ashtu janë zhvilluar kontrolle të dedikuara për mjetet e transportit publik dhe për respektimin e vijave të bardha.

Në kuadër të finales së UEFA Conference League janë realizuar me sukses mbi 200 eskortime të tifozëve, delegacioneve dhe skuadrave, pjesëmarrës në finalen e UEFA Conference League.

Policia Kufitare u angazhua me përkushtim për përballimin me sukses të fluksit të jashtëzakonshëm të shtetasve të huaj dhe shqiptarë që përdorën pikat e kalimit kufitar gjatë kësaj jave. Njëkohësisht kanë vijuar kontrollet intensive në pikat e kalimit, në kufirin e gjelbër dhe në atë blu, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe trafiqeve të paligjshme.

Gjatë kësaj jave janë kapur 9 shtetas në kërkim, nga të cilët 6 në kërkim kombëtar dhe 3 në kërkim ndërkombëtar. Janë proceduar penalisht 12 shtetas, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”; 5 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe 8 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Gjithashtu, janë goditur 2 raste të mitdhënies dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas, të cilët, për shkak të mangësive në dokumentacion, kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë Kufitare.