Aktualitet

Biletimi elektronik, Shqipëria drejt platformës “eTransport”!

Për herë të parë në Shqipëri, do të implementohet platforma “eTransport” për biletimin elektronik në rrjetin e linjave ndërqytetëse e të udhëtarëve, brenda vitit 2023. Po ashtu, synohet digjitalizimi i këtij shërbimi, instalimi i pajisjeve për transaksionet në mjete e terminale, si edhe ofrimi në kohë reale i aksesit të udhëtarëve. Kjo përmes aplikacioneve mobile e online, në një eksperiencë të re udhëtimi me rrjetin e linjave ndërqytetëse.

Drejtori i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja:

Kjo platformë risi, tashmë në proces të përparuar implementimi do të menaxhojë e monitorojë elektronikisht fluksin dhe aksesin në transportin publik ndërqytetës. Kjo është faza e dytë e kësaj platforme pas fazës së parë të nisur në pranverën e këtij viti me digjitalizimin tërësor të procesit të licencimit dhe certifikimit për sektorin e transportit ndërqytetës, dhënien fund të praktikave subjektive e të shkuarës korruptive që trashëgonim, duke kaluar çdo veprim online, në transparencë të padëgjuar më parë.

Pas investimit për databazën elektronike, sistemin operativ dhe pajisjet IT, që shërbejnë për procesimin e aplikimeve online dhe gjenerimin e dokumenteve në kohë reale përmes moduleve për shoqëritë e transportit, drejtuesit e mjeteve dhe flotat, në ndërveprim me sistemet e treta dhe me ofrimin e 18 shërbimeve në platformën qeveritare e-Albania, DPSHTRR merr besimin e qeverisë  për të vijuar me fazën e dytë të eTransport – biletimi elektronik në mbështetje të rrjetit të linjave ndërqytetëse dhe të udhëtarëve.

Numërimi mbrapsht ka nisur drejt biletës elektronike, zbardhjes së aktivitetit në funksion të anti-informalitetit, transparencës dhe politikave mbështetëse e sociale për udhëtarin e linjave publike ndërqytetëse, si edhe për injektim për modernizim flote e fuqizim të operatorëve. Ai synon që këtë projekt kompleks ta përmbyllin brenda vitit 2023 së bashku me një sërë angazhimesh me bashki e institucione partnere. Platforma “eTransport” do të jetë e mundësueshme online ku do të tregoj të gjitha terminalet, linjat e autobusave në dispozicion, oraret në të gjitha vendet e Shqipërisë.