Bota

Bill Gates kundër Elon Musk: “Kushton shumë të shkosh në Mars, me ato para mund të blesh vaksina…”!

Miliarderi i teknologjisë Bill Gates thotë se do të preferonte më shumë të paguante për vaksinat sesa të udhëtonte në Mars, një nismë për të cilën, sipas tij, nuk ia vlen të shpenzosh paratë. Gates tha për BBC se:

Faktikisht kushton shumë të shkosh në Mars. Me ato para mund të blesh vaksina kundër fruthit dhe të shpëtosh jetë. Kjo të bën që të qëndrosh me këmbë në tokë, të mos shkosh në Mars.

Miliarderë të tjerë, si Elon Musk dhe Jeff Bezos kanë nisur tashmë një garë hapësinore. Madje themeluesi i Tesla-s, ka shpalosur edhe objektivin e tij për të kolonizuar Planetin e Kuq. Gates nga ana tjetër nuk është i këtij mendimi. Ai nënvizon:

Do të na ndihmojë në çështjet shkencore dhe të mjekësisë. Nuk bëhet fjalë vetëm për robotë, por edhe për të shkruar e lexuar. Përparimi i robotëve do të sjellë rritje të produktivitetit dhe te njerëzit. Gjatë pandemisë merrja dhjetëra miliona mesazhe që më akuzonin se e kisha shkaktuar unë me dashje, ose që unë përgjoj njerëzit. Është e vërtetë që unë merrem me vaksinat, por me ato vaksina që shpëtojnë jetë. Mesazhet e shtrembëruan këtë realitet. Mendoj se njerëzit po kërkonin “gogolin” të fshehur në dollap, në vend që të pranonin shpjegimet e thjeshta. Dashakeqësia kuptohet më lehtë se biologjia.

Gates vlen të përmendim se ka dhuruar dhjetëra miliarda nga paratë e tij për çështje bamirësie. Miliarderi shpenzon shumë nga koha e tij duke folur për kërcënimet ekzistenciale globale, siç janë ndryshimet klimatike ose pandemitë e ardhshme që mund të prekin botën. Megjithatë, bashkëthemeluesi i Microsoft është shumë optimist kur flet për të ardhmen e njerëzimit. Gates beson se kushdo i lindur brenda dy dekadave të ardhshme do të jetojë më mirë se ata që kanë lindur në vitet e mëparshme.