Bota

Bisedime konstruktive Amerikë-Kinë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina zhvilluan sot bisedime konstruktive. Kjo konfirmohet nga të dyja palët, pas një takimi 5-orësh që synonte parandalimin e daljes jashtë kontrollit të tensioneve dypalëshe. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, zhvilluan bisedimet e para që nga tetori, në ishullin indonezian të Balit. Të dy superfuqitë rritën ndërveprimin në kohën kur Perëndimi është fokusuar në pushtimin rus të Ukrainës. Blinken u zotua të mbajë hapur kanalet e diplomacisë me Pekinin.

Pavarësisht kompleksitetit të marrëdhënieve tona, mund të them me njëfarë besimi se delegacionet i panë diskutimet e sotme të dobishme, të sinqerta e konstruktive. Marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara e Kinës është shumë e rëndësishme për vendet tona, por edhe për botën. Ne jemi të përkushtuar ta menaxhojmë me përgjegjësi.

Ministria e Jashtme e Kinës konfirmoi se palët ranë dakord të punojnë për përmirësimin e lidhjeve, por gjithashtu hoqën një listë të ankesave kundër Uashingtonit, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për “njollosjen dhe sulmin” e sistemit të tij politik.

Të dy palët.. arritën një konsensus për të promovuar konsultimin e grupit të përbashkët të punës kinezo-amerikan për të arritur më shumë rezultate. Ranë dakord edhe të forcojnë bashkëpunimin për ndryshimet klimatike e shëndetin publik. Palët besojnë se ky dialog thelbësor e konstruktiv do të ndihmojë në rritjen e mirëkuptimit reciprok, në reduktimin e keqkuptimeve e gjykimeve të gabuara dhe në akumulimin e kushteve për shkëmbimet e ardhshme të nivelit të lartë mes dy vendeve.

Takimi u fokusua në parandalimin e përhapjes së konkurrencës në konflikt të paqëllimshëm, por edhe kundërshtimin e Uashingtonit ndaj Pekinit për një sërë çështjesh, përfshirë Tajvanin e të drejtat e njeriut.

Kam përcjellë shqetësimet e thella të Shteteve të Bashkuara në lidhje me retorikën e aktivitetin gjithnjë e më provokues të Pekinit ndaj Tajvanit dhe rëndësinë jetike të ruajtjes së paqes e stabilitetit përgjatë ngushticës së Tajvanit.

Gjithashtu, Blinken shprehu shqetësime për Ukrainën, duke i bërë thirrje Kinës që të distancohet nga Rusia, një ditë pasi kryediplomati i Kremlinit u përball me një breshëri kritikash perëndimore në bisedimet e G20-ës.

Ky është me të vërtetë një moment ku ne të gjithë duhet të ngrihemi, siç dëgjuam vend pas vendi në G20, për të dënuar agresionin, për të kërkuar ndër të tjera që Rusia të lejojë aksesin në ushqimet që janë bllokuar në Ukrainë.

Para fillimit të takimit, Wang u tha gazetarëve se presidenti kinez, Xi Jinping beson në bashkëpunimin si dhe në “respektin reciprok” midis dy fuqive më të mëdha ekonomike në botë e se duhej të kishte shkëmbime normale mes tyre.