Aktualitet

Bisedimet e anëtarësimit me BE-në, Kryeministri Rama për “France 24”: “Nuk habitem!”

Në një intervistë për “France 24”, kryeministri Rama deklaroi se nuk surprizohet për atë që mund të ndodh në Bruksel. Rama u pyet për çështjen e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit. Gazetarja u shpreh se “Pati një bllokim nga ana e Francës, por u hoq” si dhe iu referua miratimit që Parlamenti holandez i bëri vlerësimit të Brukselit për Shqipërinë lidhur me hapjen e negociatave. E për këtë e pyeti shefin e Qeverisë nëse shpreson se kjo do të arrihet në samitin e ardhshëm, më 24 e 25 qershor?

Duhet thënë se në samitin para pandemisë, u vendos që të hapeshin bisedimet, më tej kjo u zgjat sepse duhej të merrej një vendim për të thirrur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Për fat të keq tashmë, unë u mësova të mos habitem më me atë që mund të ndodhë në Bruksel, sepse është një çështje e dinamikës së brendshme, një histori konsensusi që ndonjëherë është i vështirë, normalisht duhet ta marrim dritën jeshile duke mbajtur parasysh se ka një problem tjetër mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, sepse ne dhe Maqedonia e Veriut e presim bashkë këtë vendim dhe do të shohim nëse ky problem do të zgjidhet përpara samitit.

Në lidhje me akuzat për vjedhjen e të dhënave personale të një milion zgjedhësve para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Rama deklaroi:

Lidhur me këtë fakt, jam shumë i kënaqur që ju më pyesni, sepse kam parë që ka pasur artikuj surrealë edhe në Francë. Nuk bëhet fjalë për të dhëna personale konfidenciale që kanë dalë, por bëhet fjalë për të dhëna të organizatave të partive por që nuk kanë asnjë lidhje me të dhënat personale dhe konfidenciale të Gjendjes Civile.

Regjistri i Gjendjes Civile ka qenë i publikuar në internet që prej disa vitesh. Së dyti, doja të shpjegoja se në kartën tonë të identitetit, numri i gjendjes civile nuk përfaqëson asnjë të dhënë për personin. Eshtë vetëm një numër identiteti për të përdorur këtë kartë në shërbimet publike, por nuk ka të dhëna sensitive.

Jashtë intervistës nuk mbeti as sistemi i Drejtësisë.

Nëse Shqipëria nuk do të kishte probleme si në nivelin e qeverisjes apo edhe të pushtetit gjyqësor, atëherë Shqipëria do të ishte anëtare e BE-së sot. Ka një arsye pse ne jemi të ndershëm në këtë betejë për të reformuar sistemin e drejtësisë. Për herë të parë gjatë këtyre viteve të fundit, pandëshkueshmëria ia ka lënë vendin shtetit të së drejtës dhe nëse ka një Prokuror të Përgjithshëm apo ish-personalitete si në sistemin gjyqësor edhe në sistemin politik në përgjithësi që dënohen atëherë kjo është një shenjë shumë e mirë që tregon lindjen e diçkaje që është shumë e rëndësishme, shteti i së drejtës!

Gjithashtu, kryeministri u pyet për menaxhimin e krizës COVID-19 dhe heqjen e masave kufizuese për Shqipërinë.

Shqipëria ka qenë në krye të vendeve europiane si për përqindjen e vaksinimit dhe për shifrat e infektimit e të vdekjeve.

Në lidhje me hapjen e dyerve për turistët dhe shqetësimin e riinfektimit të vendit, Rama theksoi se “patëm një sukses të madh me ecurinë dhe praktikisht bashkë me Islandën, sipas statistikave të fundit, jemi vendi me nivelin 1 të riskut”.