Aktualitet Rajoni

Bisedimet me BE-në, Bullgaria kërkon për Shqipërinë, vlerësim të veçantë nga Maqedonia e Veriut!

Bullgaria rikonfirmon veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit mes Bashkimit Europian, pjesë e të cilit është, si dhe Maqedonisë së Veriut. Pas një takimi të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, ambasadori bullgar në Union, Rumen Aleksandrov deklaroi:

Fatkeqësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut ende nuk i ka përmbushur kriteret për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare.

Aktualisht, përparimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ka ngecur për shkak të vetos së Bullgarisë, në fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shkupin, lidhur me çështjet dypalëshe gjuhësore e historike.

Shqipëria duhet të vlerësohet veçmas nga Maqedonia e Veriut, bazuar në arritjet e saj.

Procesi për dy shtetet është i lidhur ngushtë dhe vetoja e Sofjes ndaj Shkupit, bllokon fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE, edhe me Shqipërinë. Aleksandrov shtoi se Bullgaria ka propozuar disa opsione për tejkalimin e çështjeve me Maqedoninë e Veriut, lidhur me të drejtat e banorëve me kombësi bullgare, si dhe zbatimin e traktatit të miqësisë të nënshkruar mes dy shteteve.

Partnerët tanë në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të marrin angazhime specifike detyruese, një pjesë e të cilave të përmbushet në afat të shkurtër dhe pjesa tjetër, të përfshihet në kërkesat e kornizës së ardhshme të negociatave. Derisa kjo të ndodhë, nuk mund të pritet përparim në procesin e zgjerimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Sofja ka qenë nën presionin ndërkombëtar për të zhbllokuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Edhe senatorët amerikanë Klaudia Tenney e William R. Keating, anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, i kërkuan Sofjes të gjejë kompromis e të zgjidhë situatën. Në një letër drejtuar ambasadorit të Bullgarisë në Uashington, Tihomir Stoytchev, i shkruanin se “bllokimi i mëtejshëm i procesit do të hapte derën për ndikim më të fortë rus dhe kinez në rajon”.