Bota

Bjellorusi, 14 vite burg kundërshtarit të presidentit Lukashenko!

Në Bjellorusi dënohet me 14 vite burg Viktor Babariko, ish-shef i Belgazprombank, i cili kandidoi pa sukses në zgjedhjet presidenciale të rifituara nga Aleksandr Lukashenko. Babariko u shpall fajtor për akuzat e riciklimit e korrupsionit përmes dhënies së rryshfeteve nga të cilat fitoi 11.5 milionë dollarë. Ai bëhet i pari kundërshtar i Lukashenkos që dënohet.

Më shumë se një vit pas arrestimit, ish-bankieri dhe figura e shquar e opozitës bjelloruse u përball me verdiktin në përfundim të një procesi të diskutueshëm gjyqësor në Minsk.

57-vjeçari u konsiderua si kundërshtari më i fortë i Lukashenkos, i cili iu kishte bërë thirrje autoriteteve të ndërmerrnin veprime kundër tij. Nuk vonoi dhe prokurorët u vunë në lëvizje duke e akuzuar për pastrim parash, zhvatje dhe evazion fiskal.

Babariko mohoi akuzat e gjyqin e cilësoi “përpjekje për ta bërë të heshtë”. Kritikat e ashpra nuk munguan as nga komuniteti ndërkombëtar.

Presidencialet e gushtit të kaluar u përkufizuan si “të manipuluara” e shkaktuan protesta masive me pjesëmarrjen e qindra mijëra njerëzve. Shumë u arrestuan ndërsa pati qindra të plagosur e disa të vrarë. Lukashenko në pushtet prej 27 vitesh, përmendet si diktatori i fundit i Europës. Bashkimi Europian nuk e njeh më si liderin legjitim të Bjellorusisë.