Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Film & Tv

“Blackfish” një dokumentar për balenat vrasëse të Akuariumeve po aq grishës sa një thriller me vrasës serial. Kritikë.

Gjitarët e ujit si Delfinët dhe Balenat Orka kanë me siguri një imazh të butë në sytë tanë, aq të butë sa personazhet e pellushit të prera si ato. Është pikërisht ky imazh i cili ktheu në një biznes multi-miliarder parqet e argëtimit / Akuariumet prej më shumë se një gjysmë shekulli. E nëse gjatë ‘spektaklit’ të tyre kafshët gjigande duken të lumtura dhe të gëzuara, mjafton të mendosh…

Si mund të jetë e lumtur një gjallesë që në jetën e saj noton me mijëra kilometra çdo ditë, e kufizuar në një pishinë si ato që tregohen në film apo ato që mund të keni vizituar.

“Blackfish” (2013) është një dokumentar tronditës, një biografi për personazhin më të rëndësishëm të orkave të Akuariumeve argëtues ‘SeaWorld’ dhe partnerëve të tyre: Tilikum. 7 metra i gjatë, 5.4 ton i rëndë, Tilikum është babai i të paktën 11 orkave të tjera që jetojnë në ‘burgjet e stisura’ në botë e sigurisht po ti hyjmë pemës së tij gjenealogjike shumë më tepër. Tilikum është njëkohësisht një balenë vrasëse. Në këtë film tregohen tre vrasje rrënqethëse, të denja për një film hollywood-i të ndodhura brenda akuariumit të Sea World, Orlando, SHBA, mes dhjetra incidenteve të tjera pa pasojë vdekjen. Rrëfimi është brilant.

I kandiduar për Dokumentarin më të mirë të vitit në 2014 në çmimet ‘Bafta’, filmi i Gabriella Cowperthwaite meriton të gjithë lavdet e marra. Një lloj martese mes biografisë, aktivizmit dhe psiko-trillerit në një formë kinematografie shumë të shijueshme duke rrokur çdo aspekt, dhe çdo këndvështrim të balenave të kapura dhe trajnerëve që punojnë me të. Tilikum dhe dy viktimat e tij, Keltie Byrne e 1991 dhe Dawn Brancheu (2010) nuk mund të jenë një rast i veçuar i një sistemi të ndërtuar për të bërë para – pavarësisht mburojës morale që ka. Agresiviteti i gjigantit shpjegohet me bullizimin dhe agresivitetin e sindromit të çrregullimit post-traumatik, lidhur me mënyrën si u soll në akuarium dhe si jetonte – i sulmuar tërë kohës nga dy femrat më të mëdha të akuariumt. Pamjet e kafshimeve të tyre të vazhdushme janë sugjestionuese.  Është një nga ata filma që duhen parë me ‘detyrim’ nëpër shkolla, sepse analizon imtësisht marrëdhënien briliante të kohëve që jetojmë mes ne njerzve dhe atyre që i konsiderojmë qënie inferiore, por që inferiore nuk janë.

Në fakt balenat konsiderohen disa nga qëniet më inteligjente në planet, sepse si pak të tilla ato janë të afta për empati. Është e jashtëzakonshme se si në gjëndje të lirë nëna dhe fëmija rrijnë gjithë jetën bashkë, dhe po aq siç tregohet në film, gjëndja e tyre depresive e ngjashme me tonën, kur një nga balenat qan me gjuhën e saj kur i marrin të birin, dhe qëndron pa lëvizur në një cep të akuariumit për orë të tëra.

Për herë të parë tregohet nga protagonistët mënyra si funksionojnë këto parqe-burgje duke i hapur rrugën një ndërgjegjësimi publik të munguar. “Blackfish” tregon se nuk ka asnjë rast të regjistruar në natyrë që një balenë të ketë sulmuar një njeri (siç shpesh ndodh në këto Akuariume). Rrëfyer nga një prej kapësve të tij, Tilikum u morr nga familja e tij kur ishte më pak se dy vjeç, dhe u përdor si aset për të krijuar një ushtri orkash për akuariumet e ‘SeaWorld’ dhe partnerëve të tyre në botë, të cilët e kanë quajtur dokumentarin një manipulim emocional të fakteve. Por mbas ekspozimit të fakteve, Tilikum u la në izolim, pa dalë më në shfaqe, duke u përdorur vetëm si bankë sperme, derisa në fillim të 2017 u nda nga jeta.

Ndërkaq jo shumë vonë mbas shfaqjes së dokumentarit,  dëmi ndaj ‘SeaWorld’ & partnerëve ishte i madh.  Pati një braktisje nga publiku, rënie të aksioneve në bursë me 33%, rënie të fitimeve të deklaruara me 84% dhe ndalimit të programit të shumimit të Orkave të kapura në 2016, po aq edhe ndalimit të shfaqjeve me balena.

Pas premierës së tij në Sundance Film Festival në Janar të 2013 “Blackfish” u pa nga më shumë se 21 milion shikues muajin e parë të transmetimit në CNN, një transmetim që i dha atij një kredibilitet dhe akses më të madh. Duke ndjekur linjën e një tjetër dokumentari që ekspozon shëndetin dhe kushtet e kafshëve që jetojnë në kafaze uji “The Cove” (2009)

“Blackfish”është në listën e dokumentarëve që ndryshuan historinë përgjithmonë! Kësisoj duhet të jetë në listën tënde të filmave për t’u parë.