Pardon My French

Blendi Fevziu rrëfen momentin e sikletshëm me të ftuarin e pabindur…

Blendi Fevziu zbulon intervistat më të veçanta nga Geraldina dhe deri tek i ftuari i pabindur… sot në studion e Top Albania Radio-s.

Në një intervistë për “Pardon My French” gazetari i njohur Blendi Fevziu ndan disa nga momentet e tij më speciale, histori, udhëtime, kujtimet më interesante, pasionin për profesionin e tij dhe eksperiencat e ndryshme në ekran.

I pyetur se cilat janë disa nga intervistat më të veçanta dhe emocionuese, Fevziu veçon vetëm tre, si më të përzemërta dhe që nuk do t’i harrojë kurrë.

Ndër ato intervista që do të ndaja është intervista me Geraldinën… Mbretëreshën e Shqipërisë, ka qenë një grua e jashtëzakonshme. Ishte një grua, e cila jetonte me oksigjen dhe detyrohej ta hiqte maskën e oksigjenit sa të jepte përgjigje dhe rivendoste prap që të merrte fuqi dhe prap fliste… dhe deri në fund donte ta shprehte pengun e jetës së saj…

Një personazh tjetër që për fat të keq në Shqipëri nuk para njihet shumë, mbeti mbrapa në kuptimin se ka vdekur në 2001, ishte një personazh i jashtëzakonshëm, Isuf Vrioni, një përkthyes i Kadaresë dhe veprave shqiptare, shqip-frëngjisht…

Kujtoj që kur erdhi në studio u nervozua, kishte një çantë në dorë, nuk e di për çfarë i duhej ajo çantë dhe e vuri para surratit dhe thoshte ‘unë nuk dua të flas’ mbasi kishte rënë dakord dhe i them Isuf pse nuk flet. Thoshte nuk dua të flas se çfarë kam bërë unë në jetë që njerëzit të më dëgjojnë mua. Dhe unë i thashë; Isuf sa budallenj dëgjojnë njerëzit, jo një orë, por shumë orë në ditë, kështu që të paktën ti një orë në një jetë 80-të e ca vjeç, e meriton… por prapë nuk bindej!

I treti dhe padyshim shumë interesant Kadareja, një intervistë brilante, nuk ka asnjë fjalë tjetër veç të thuash ‘brilante’.