Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Aktualitet

Blerjet online, Shqipëria me shifrat më të ulëta në rajon!

Konsumatorët shqiptarë preferojnë t’i blejnë mallrat dhe produktet duke u paraqitur fizikisht në njësitë tregtare, ndryshe nga vendet e tjera të Europës që gjithnjë e më shumë përdorin internetin për të porositur. Në fakt, i gjithë Ballkani e përdor më pak internetin për të blerë, sipas një harte të fundit të Eurostat, me më pak se 38% që kanë porositur produkte online nga interneti.

Në vitin 2019, të dhënat e fundit të disponueshme për Shqipërinë, tregojnë se vetëm 7% konsumatorëve shqiptarë përdorën internetin për të porositur mallra apo shërbime, nga 5% vitin e mëparshëm.

Shifra është shumë më e ulët edhe se fqinjët. Maqedonia e Veriut e kishte shifrën 29% në 2019-ën e 34% në 2020-ën, Serbia: 34% në 2019-ën e 38% në 2020-ën, Bosnja: 23 dhe 28%, Mali i Zi 16% e 23%. Rekordin e mban Kosova, me 38% në 2019-ën e 46% në 2020-ën. Madje, për blerje private online, Kosova rezulton me përdorim më të lartë të internetit edhe se Italia, Greqia, Portugalia. Megjithatë, mesatarja e rajonit është shumë më e ulët se në vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Sipas Eurostat-it, në vitin 2020, rreth 65% e grupmoshës 16-74 vjeç në BE blenë/porositën mallra ose shërbime në internet gjatë 12 muajve përpara anketës. Të rinjtë e moshës 25-34 vjeç kishin 2.5 herë më shumë gjasa të kenë përdorur internetin për të bërë blerje (83%) se personat e moshës 65-74 vjeç (33%).

Blerja në internet është bërë mëse e zakonshme në BE, pasi përdorimi i internetit është i përhapur në të gjitha moshat. Konsumatorët vlerësojnë aksesin në një gamë të gjerë produktesh në çdo kohë, kudo, me përfitimin e shtuar të çmimeve speciale. Ngjarjet si e Premtja e Zezë, (Black Friday) si dhe e hëna pasuese, (Cyber Monday), janë mes rasteve kur blerjet online kanë përparësi në kalendar.

Rajoni Hovedstaden i kryeqytetit danez regjistroi prirjen më të lartë për të përdorur tregtinë elektronike (91%) në të gjithë BE-në, i ndjekur nga Midtjylland po në Danimarkë dhe rajoni holandez i Utrecht, të dy me nga 90%. Në anën e kundërt, katër rajone në Bullgari kishin peshën më të ulët në vitin 2020: Severen tsentralen (25%), Yuzhen tsentralen dhe Yugoiztochen (të dyja 26%) dhe Severozapaden (27%). /Monitor.al