Aktualitet

Bllokimi i rrugëve, TIA njofton udhëtarët: Në Rinas, 4 orë para fluturimit!

Për shkak të bllokimit të rrugëve, në kuadër të masave të sigurisë për samitin e nesërm në Tiranë mes liderëve të Bashkimit Europian e Ballkanit Perëndimor, Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” i Rinasit publikoi një njoftim të rëndësishëm.

Pasagjerët që në datën 6 dhjetor udhëtojnë me avionë, nesër duhet të jenë në Rinas 4 orë para fluturimeve.

TIA njofton që të gjithë pasagjerët të cilët kanë për të udhëtuar nga TIA në datë 6 dhjetor, janë të lutur që të jenë në aeroport 4 orë para fluturimit të tyre për shkak të masave të marra për samitin BE-Ballkani Perëndimor. Kjo prezencë kërkohet në mënyrë që pasagjerët mos të rrezikojnë humbjen e fluturimit të tyre.

Samiti BE-BP, Policia Bashkiake e Tiranës iu bën thirrje qytetarëve të lirojnë rrugët e rrugicat brenda itinerarit ku do të kalojnë e qëndrojnë personalitetet e larta shtetërore. Po ashtu, zonën e kuqe. Për shkaqe sigurie, brenda saj nuk do të lejohet parkimi dhe lëvizja me automjete ditën e nesërme. Policia Bashkiake kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, në të kundërt automjetet do të lëvizen me karrotrec.

Në zbatim të masave të sigurisë, të vendosura në planin e përbashkët të masave me Policia Rrugore Tiranë, të hartuar për të garantuar Samitin e BE-së, i cili do të zhvillohet në datën 6 Dhjetor në Tiranë, shërbimet e Policisë Bashkiake dhe ato të Policisë Rrugore, pas vendosjes së sinjalistikës provizore ndaluese nga Bashkia Tiranë, si dhe pas njoftimeve të vendosura në të gjitha automjetet e parkuara, po lirojnë rrugët e rrugicat brenda itinerarit ku do të kalojnë dhe qëndrojnë personalitetet e larta shtetërore, si dhe zonën e kuqe, brenda së cilës për shkaqe sigurie, nuk do të lejohet parkimi dhe lëvizja me automjete në datën 6 Dhjetor.

Duke falënderuar qytetarët për mirëkuptimin, u rikërkojmë, të lëvizin automjetet e tyre private, të cilat i kanë ende të parkuara brenda kësaj zonë të kuqe, pasi në të kundërt do të lëvizen me mjet ngritës, nga shërbimet policore, si dhe të kufizojnë sa të mundin lëvizjet me automjet në qytet, në datën 6 Dhjetor.