Aktualitet Travel

Bloomberg përzgjedh Tiranën ndër 10 qytetet me infrastrukturë inovative për biçikletat!

Mes shumë aplikantësh nga e gjithë bota, Tirana përzgjidhet si një ndër 10 qytetet përfituese të grantit të Bloomberg Philanthropies për Infrastrukturën e Çiklizmit (BICI). Investimet në përmirësimin e infrastrukturës, veçanërisht në rritjen e sigurisë për këmbësorët dhe çiklistët, bënë që Tirana të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare.

Bloomberg Philanthropies shpalli fituesit e parë të Iniciativës së Bloomberg për Infrastrukturën e Çiklizmit (BICI), me dhjetë qytete globale që marrin mbështetje për të ndërtuar infrastrukturën inovative të çiklizmit dhe opsionet e lëvizshmërisë së qëndrueshme për banorët e tyre.

Krahas Tiranës, ku do të mbështetet ndërtimi i një rrjeti çiklizmi për të gjitha moshat nëpërmjet zbatimit të projektimit të kryqëzimeve të sigurta, përfitues janë dhe Milano në Itali e Lisbona në Portugali.

Qëllimi i kësaj nisme është të ndihmojë qytetet të kenë rrugë që rrisin përdorimin e biçikletave, rigjallërojnë lagjet e promovojnë shëndetin dhe mirëqenien e komuniteteve respektive.

Përveç financimit, Tirana do të marrë dhe asistencë teknike për projektimin dhe zhvillimin e projekteve. I nisur në vitin 2014, misioni i Iniciativës Globale të Projektimit të Qyteteve është që të transformojë rrugët në mbarë botën.

Në kalendarin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OKB, 3 qershori njihet si Dita Botërore e Biçikletës. Kjo ditë tërheq vëmendjen tek përfitimet që vijnë nga përdorimi i biçikletës, një mjet transporti i thjeshtë, i përballueshëm financiarisht, i pastër dhe mjaft i përshtatshëm për mjedisin. OKB vlerëson:

Biçikleta kontribuon në ajër më të pastër e për më pak ngarkesë në trafik. Arsimin, kujdesin shëndetësor dhe të tjera shërbime sociale, i bën më të aksesueshme për popullatat më në vështirësi.

Biçikleta është një sistem i qëndrueshëm transporti që promovon rritjen ekonomike, redukton pabarazitë, ndërkohë që forcon luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Më 15 mars të vitit të kaluar, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën për integrimin e biçikletave të zakonshme në sistemet e transportit publik e kjo për një zhvillim të qëndrueshëm. Rezoluta theksoi se biçikleta është një instrument i transportit të qëndrueshëm dhe përcjell një mesazh pozitiv për nxitjen e konsumit e produkteve që kanë një ndikim pozitiv tek klima.