Sport

Bojkoti i Superiores drejt fundit

Drejt fundit, bojkoti i Superiores. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka deklaroi pak çaste më parë, menjëherë pas takimit me Kryeministrin Edi Rama se është krijuar mundësia për zgjidhje të kërkesave të Ligës Profesioniste të Futbollit.

Ngërçi ishte te Ligji i Sponsorizimeve. Për këtë çështje, Duka tha se Ministria e Financave ka propozuar dy modele, që do të zbulohen orët në vijim me daljen në një qëndrim zyrtar të Ligës.

Në deklaratën e tij për mediat, Duka theksoi se kryeministri i ka premtuar se do të marrë në konsideratë çështjet që Liga dhe FSHF kanë ngritur: “Ne duhet të bashkojmë paratë me pasionin. Për këtë po luftohet që përmes ndryshimit të legjislacionit të bashkohet pasioni me paratë. Pra, pasioni mos të bëhet gropë për familjen dhe shoqërinë.

Tym i bardhë për nisjen e futbollit? Shiko, futbolli duhet të luhet dhe është i dëmshëm ndërpreja e tij. Por, është shumë i dëmshëm edhe për futbollistët. Një orë e më parë duhet luajtur. Nuk duhej të ndërpritej, duke arritur marrëveshjen gjatë lojës. Në një tavolinë të fundit që ka pasur Liga me qeverinë, i është premtuar që do të miratohet një nga dy propozimet. Unë kam pasur një takim me kryeministrin sot dhe më ka thënë që do ta marrë në konsideratë.

Futbolli? Varet nëse Liga do të bindet me kaq apo do të ketë një zhvillim tjetër për të fituar futbolli. Pretendimet? S’është çështje numrash. Një fond për sportin është pak, ka nevojë shumë më shumë. Afat nga kryeministri? Unë s’e di nëse bëra mirë apo keq që e tregova këtë, por mendoj se ai vetë do të japë ndonjë prononcim vetë. Kush s’është i lumtur kur fillon futbolli, gjithë jemi të lumtur”, tha ai.