Bota

Bomba ruse në një qendër tregtare në Ukrainë/Rusia: Lufta e Tretë Botërore nëse NATO pushton Krimenë!

Lufta ruse në Ukrainë vijon prej 125 ditësh. Sipas denoncimeve ukrainase, në Kremençuk, raketat ruse goditën një qendër tregtare ku referuar presidentit Volodymyr Zelensky gjendeshin mbi një mijë qytetarë. Bilanci paraprak flet për 18 vetë që humbën jetën dhe 57 të plagosur. Zelensky e cilësoi “akt të pastër terrorist”.

Presidenti amerikan, Joe Biden dënoi si “mizor” sulmin e fundit rus ndaj qendrës tregtare, si dhe rikonfirmoi se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të popullit ukrainas. Siç theksoi shefi i Shtëpisë së Bardhë, Amerika do të vazhdojë të bëjë përgjegjëse Rusinë për këto sulme.

Një reagim zyrtar pati edhe nga G7-a. Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara zhvillon sot ditën e tretë dhe të fundit të samitit në Bavari të Gjermanisë.

Dënojmë me vendosmëri sulmin në qendrën tregtare në Kremençuk. Bashkohemi me Ukrainën në vajtimin për viktimat e pafajshme të këtij sulmi brutal. Sulmet ndaj qytetarëve të pafajshëm, përbëjnë krim lufte. Presidenti Putin dhe personat përgjegjës duhet të japin llogari!

Sot pritet mbledhja e Këshilli të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të diskutuar lidhur me sulmet e fundit të trupave të Moskës. Takimin e kërkoi Kievi zyrtar, për të folur rreth bombardimeve të vazhdueshme të rusëve në Ukrainë.

Ndërkohë, numri dy i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev doli me një paralajmërim të fortë: Nëse NATO tenton të pushtojë Krimenë, nis Lufta e Tretë Botërore! Sipas ish-shefit të Kremlinit, çdo përpjekje e tillë, sikur dhe nga një vend i vetëm i Aleancës Veri-Atlantike, nënkupton t’i shpallet luftë Rusisë e pasojat do të ishin shkatërrimtare.

Në një tjetër zhvillim, Franca njoftoi se do të dërgojë mjete të blinduara në Ukrainë, për të siguruar transportin e personelit. Ndërkohë për Moskën, armët që Amerika i dërgon Kievit, rrisin edhe më tej tensionet. Pritet një përkeqësim i mëtejshëm, sipas Rusisë, “me pasoja të paparashikueshme”.