Bota

Boris Johnson: “Në kujdesin intensiv, rreth 90% pa doza përforcuese!”

Kryeministri britanik, Boris Johnson mbron vendimin e tij, për të mos ashpërsuar masat anti-COVID në Britaninë e Madhe, edhe pse vendi është goditur rëndë nga varianti Omicron i koronavirusit. Johnson apelon të merren dozat përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit.

Kam biseduar me mjekët që thonë se rreth 90% e personave në kujdesin intensiv nuk kanë doza përforcuese. Ata që nuk janë vaksinuar, kanë 8 herë më shumë gjasa që të shtrohen në spitale.

Deri tani, Mbretëria e Bashkuar numëron mbi 148 mijë viktima nga COVID-i, që është shifra më e lartë e regjistruar në Europë sa i përket atyre që fatkeqësisht nuk ia dolën të fitojnë betejën me sëmundjen. Referuar statistikave të dhëna nga shefi i qeverisë së Londrës, mbi 32.5 milion qytetarë kanë marrë doza përforcuese.

Tashmë që përveç vaksinave janë miratuar edhe pilulat anti-COVID, Gjermania njofton blerjen e një milion të tillave nga kompania amerikane, Pfizer. Në janar, priten dërgesat e para të ilaçit me emrin Paxlovid e autoritetet gjermane janë optimiste mbi efikasitetin e tij. Në Amerikë, Administrata për Ushqimin dhe Ilaçet autorizoi përdorimin emergjent të pilulës kundër koronavirusit.

Në Holandë, spitalet po përgatiten për një rritje të numrit të shtrimeve pasi konfirmohet se Omicron është kthyer në dominues në vend. Ky variant, përbën mbi gjysmën e të gjitha rasteve të koronavirusit në Holandë, ku shpresohet që masat e izolimit të vendosura më 19 dhjetor, të ndihmojnë në kufizimin e presionit ndaj sistemit shëndetësor. Fillimisht është menduar që të zgjasin deri më 14 janar.

Nisur nga rëndimi i situatës epidemiologjike e shqetësimet në rritje të autoriteteve shëndetësore, kryeqytete europiane si Parisi, Londra e Berlini, anuluan festimet për Vitin e Ri. Por, jo në Madrid ku zyrtarët do t’iu bashkohen qytetarëve për të festuar. Ndërkaq, Italia ndalon zhvillimin e eventeve të mëdha jashtë, si dhe ka mbyllur klubet e natës, por nuk ka vendosur kufizime në organizime private.