Bota

Borrell akuza Rusisë se kryen krime lufte!

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, akuzoi Rusinë për kryerje “të krimeve të vërteta të luftës”, duke bllokuar eksportet e drithërave nga Ukraina. Në nisje të takimit mes ministrave të Jashtëm të bllokut europian, në Luksemburg, zyrtari i lartë deklaroi:

Eshtë e paimagjinueshme që miliona tonë grurë mbeten të bllokuara në Ukrainë, në kohën kur pjesa tjetër e botës përballet me uri. Ky është krim i vërtetë lufte.

Ministrat pritet të diskutojnë rrugën për të mundësuar shpërndarjen e miliona tonëve grurë që gjenden në Ukrainë, të bllokuara në portet e Detit të Zi, nga ana e forcave ruse. Që nga koha kur Rusia nisi agresionin ndaj vendit fqinj, Ukrainës iu bllokuan portet, dërgesat e grurit po ashtu, duke pamundësuar eksportin e mbi 20 milion tonëve të grurit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka hedhur poshtë akuzat e Perëndimit se Moska është përgjegjëse për rritjen e madhe të çmimeve të drithërave për shkak të bllokadave në porte.

Javën e kaluar, shefi i Kremlinit la të kuptonte se Rusia është e gatshme të garantojë tranzitin e anijeve me grurë përmes Detit të Zi dhe pretendoi se Ukraina ka të tjera alternativa, përmes rrugëve tokësore. Ekspertët e Perëndimit besojnë se diçka e tillë, vështirë se është e realizueshme.

Fillimisht, Moska pati drejtuar një kërkesë për heqjen e sanksioneve ekonomike, në këmbim të lejimit të eksporteve të grurit. Borrell vuri në dukje se “veprimet e Rusisë dhe jo sanksionet e Perëndimit, duhen fajësuar për përkeqësimin e krizës së ushqimeve”.

Çmimet ndërkombëtare të drithërave janë duke u rritur vazhdimisht dhe importuesit kyçë sikurse Lindja e Mesme e Afrika rrezikojnë të përballen me mungesa të theksuara. Më herët, edhe kancelari gjerman i kërkon Rusisë të zbusë krizën globale ushqimore, duke ndihmuar në lehtësimin e dërgesave të grurit nga portet e bllokuara të Ukrainës. “Duhet të shpresoni për hir të botës, që të arrihet një marrëveshje”, – tha Olaf Scholz, referuar negociatave në vazhdim për krijimin e një korridori eksporti përtej Detit të Zi.