Bota

Borrell në Kubë: Havana të distancohet nga mbështetja për Rusinë!

Duke folur nga Havana, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell deklaroi se blloku evropian shpreson të mbështetet tek Kuba për promovimin e respektit për sovranitetin e Ukrainës.

Shefi i diplomacisë evropiane theksoi se për BE-në është me rëndësi t’i sqarojë Kubës qëndrimin e 27 vendeve anëtare, duke qenë se shteti-ishull mban dhe presidencën e grupimit G77. Rrjedhimisht, Kuba luan një rol të rëndësishëm dhe ka përgjegjësi në arenën ndërkombëtare, tha Borrell.

Që nga fillimi i luftës, Kuba i ka shmangur prononcimet rreth pushtimit të Ukrainës dhe ka aderuar në idenë se Shtetet e Bashkuara dhe NATO luajtën një rol të rëndësishëm që çoi në fillimin e luftës dhe në zgjatjen e saj.

Kuba ndodhet në krizën më të madhe ekonomike në 3 dekada, me inflacionin që do të kalojë kuotën 40 për qind në 2023-shin, deklaroi ministri i Financave.

Pikërisht vështirësia ekonomike shtyu vendin komunist të afrohet me Rusinë, të cilës i duhen aleatë pasi po bëhet tërësisht e izoluar.

Javën e kaluar, Kuba mirëpriti një forum biznesi me Rusinë, në të cilin u nënshkruan marrëveshje për rritjen e pranisë ekonomike dhe financiare të Moskës në vendin latin.