Aktualitet

Borrell: Në Pragë krijojmë rend të ri, pa Rusinë!

“Sot nga Praga, liderët e 44 vendeve europiane do të dërgojnë një sinjal të qartë për izolimin e Rusisë e do të përpiqen të krijojnë një rend të ri pa të”. Kështu u shpreh përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, duke folur për gazetarët në kryeqytetin e Republikës Çeke.

Në takim do të bëhen përpjekje për të krijuar një rend të ri pa Rusinë. Kjo nuk do të thotë se ne duam ta përjashtojmë Rusinë përgjithmonë, por kjo Rusi, Rusia e Putinit, nuk ka vend!

Ky është sinjali që duam të dërgojmë, se fatkeqësisht nuk mund të ndërtojmë një rend sigurie me Rusinë. Rusia është e izoluar… Nuk keni vend, të gjithë të tjerët janë këtu.

Ky i Pragës është i pari samit i 44 liderëve të shteteve në Europë, por nuk janë ftuar të Rusisë e Bjellorusisë. Aty priten diskutime më joformale mbi çështjet e sigurisë e të paqes, krizës ekonomike dhe energjetike, krahas synimeve për mbrojtjen e mjedisit. Kryeministri i Republikës Çeke, vend që këtë 6-mujor kryeson Bashkimin Europian, Petr Fiala deklaroi:

Presidenca çeke e BE-së po përballet me sfida e kriza të mëdha ku po kalon Europa dhe që do të jenë temë e diskutimeve të para të bashkësisë politike europiane, qoftë paqja e siguria, energjia, mjedisi, ekonomia. Qëllimi nuk është të arrihen konkluzione me shkrim, pra ndonjë përfundim me shkrim. Qëllimi është të diskutohet e të krijohet një lloj marrëveshjeje kornizë lidhur me veprimet e mëtejshme të vendeve europiane në këto fusha.

Ndër ata që sot takohen në kështjellën historike të Pragës janë liderët e Shqipërisë (vendi ynë përfaqësohet nga kryeministri Rama), Armenisë, Azerbajxhanit, Bosnjës, Gjeorgjisë, Islandës, Kosovës, Lihtenshtajnit, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Norvegjisë, Serbisë e Zvicrës. Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, do të marrë pjesë personalisht, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky do të bashkohet online, përmes video-lidhjes.