Bota

Bota ka republikën më të re, Barbadosin/Rihanna heroinë kombëtare!

Barbadosi e largoi zyrtarisht Mbretëreshën britanike, Elizabeta II nga pozita e udhëheqëses së shtetit, duke u bërë republika më e re në botë. Në një ceremoni të zhvilluar në kryeqytetin Brixhtaun, Dama Sandra Mason u betua si presidente.

Princi i Uellsit, Charles dhe këngëtarja e famëshme nga Barbadosi, Rihanna, morën pjesë në këtë ceremoni, që u zhvillua në përvjetorin e 55-të të pavarësisë. Charles foli për atë që e quajti “mizori e tmerrshme e skllavërisë”, me të cilën është përballur ky ishull i Karaibeve. Kjo epokë e re për Barbadosin i jep fund ndikimit të Britanisë, duke përfshirë më shumë se 200 vite nga koha kur ishulli ka qenë qendër për tregtinë transatlantike të skllevërve.

Mbretëresha Elizabetë shprehu “urimet më të mira” dhe “paqe e lumturi në të ardhmen”, duke thënë se ky komb ka “vend të veçantë” në zemrën e saj. Barbados ka njoftuar një vit më parë se dëshiron të shndërrohet në republikë, por do të mbetet brenda vendeve të Commonwealth-it (bashkësia e mbi 50 shteteve, pothuajse që të gjitha ish-territore të Perandorisë britanike).

Ndërkaq, këngëtarja Rihanna u shpall heroinë kombëtare nga presidentja Mason. Artistja me famë botërore, e cila njihet edhe si biznesmene e suksesshme, më herët është shpallur ambasadore nga Barbadosi, në vitin 2018.

“Shpresoj që do të vazhdoni të shkëlqeni si diamant dhe të nderoni kombin tuaj”, – ka thënë kryeministrja, Mia Mottley, duke iu referuar një prej këngëve të Rihannas.
Barbados ka qenë një prej kolonive të para të skllevërve të Anglisë. Skllavëria është ndaluar në Barbados më 1834-ën dhe shteti u bë tërësisht i pavaruar më 1966.