Bota

Ish-presidenti afgan: Largimi nga Kabuli vendimi më i vështirë i jetës sime!

Ish-presidenti agfan, Ashraf Ghani i ka kërkuar falje popullit të Afganistanit pasi u largua në një kohë kur talebanët po merrnin vendin nën kontroll të plotë. Përmes një postimi në Twitter ai e ka cilësuar si vendimin më të vështirë të jetës largimin nga Kabuli, por sipas tij nuk ishte zgjidhje tjetër dhe vetëm kështu mund të shmangeshin luftimet.

Largimi nga Kabuli ishte vendimi më i vështirë i jetës sime, por kështu ishte mënyra e vetme për t’i mbajtur armët në heshtje dhe për të shpëtuar Kabulin dhe 6 milionë qytetarët e saj,” tha ai.

Ndërkohë, Ghani ka mohuar përsëri pretendimet e ngritura nga ambasadori afgan në Taxhakistan, Mohammad Zahir Aghbar, i cili e akuzoi ish-presidentin se kishte marrë me vete 169 milionë dollar kur u largua nga vendi.

Ashraf Ghani, i cili aktualisht është në Abu Dhabi, u shpreh se ashtu si paraardhësit e tij edhe ai nuk kishte qenë në gjendje të sillte paqe në Afganistan.

Me keqardhje të thellë dua të them që kapitulli im përfundoi në një tragjedi të ngjashme me paraardhësit e mi. I kërkoj falje popullit afgan që nuk solla dot paqe“, -u shpreh Ghani.

Deklarata e Ghanit erdhi një ditë pasi talebanët shpallën qeverinë e tyre të re të përkohshme, ku asnjë grua nuk është përfshirë në postet kryesore, pavarësisht premtimeve të mëparshme se do të formonin një administratë përfshirëse.

Luftëtarët talebanë morën në kontroll të plotë Kabulin me 15 gusht, në një kohë edhe kur Shtetet e Bashkuara dhe NATO filluan tërheqjen e trupave nga Afganistani. 10 ditë përpara se të merrnin kryeqytetin, talebanët kishin pushtuar një varg qytetesh të tjera.