Aktualitet

Rama: “Nuk do të lejohen në auditorë studentë të pavaksinuar kundër koronavirusit!”

Njohja në Bashkimin Europian e certifikatës së vaksinimit anti-COVID për shqiptarët mund të jetë çështje ditësh. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dha datën 15 shtator si afat për përfundimin e procedurave.

Po punojmë që të njihet edhe Green Pass në vendet e Europës, besojmë se do të arrihet brenda 15 shtatorit.

Aktualisht, dokumentin e vaksinimit e njohin vetëm disa vende, por jo sistemi i integruar online i BE-së.

Kryeministri Rama dhe Manastirliu ishin sot në qendrën shëndetësore nr.1 në Tiranë. Rama riktheksoi se studentët e pavaksinuar, nuk do të lejohen në auditorë.

Duhet të përsëritet që vaksina jo domosdoshmërisht të mbron nga infektimi, edhe pse probabiliteti i infektimit është shumë i ulët, por në momentin që infektohesh të mbron nga vuajtjet dhe format e rënda. Studentët që nuk vaksinohen, nuk do të hyjnë në auditorë, sepse pjesa e vetëdijshme e që do të mbrohet, nuk mund të kërcënohet nga ata që besojnë në teori konspiracioni.

E njëjta gjë vlen për mësuesit, për administratën. Nuk ta ka borxh pjesa tjetër protestën kundër shkencës, nuk mund të kërcënosh jetën e të tjerëve. Ne kemi shtrirë shumë shpejt vaksinimin masiv dhe sot jemi më të mbrojtur. Ne nuk mund të hyjmë në situata të rrezikshme prej atyre. Këtu ndahen gjërat. Masat detyruese po i bën gjithë bota, por ne i kemi më të buta.

Manastirliu tha se është rritur numri i qytetarëve të interesuar për t’u vaksinuar, si dhe bëri të ditur se deri në fund të vitit, numri i vaksinave anti-koronavirus të mbërritura në vendin tonë, pritet të shkojë në 3 milion.

Me pedagogët e mësuesit po ecim mirë dhe data 30 shtator është lënë si një ditë ku do bëhet një bilanc sa i përket mbulesës vaksinale. Do të ketë edhe një monitorim të long COVID. Po përgatisim grupe vaksinimi edhe për në universitet e në konvikte.

Nga 1 shtatori ka rifilluar kontrolli mjekësor bazë, në çdo qendër shëndetësore.