Bota

Britania dhe Ukraina diskutojnë forcimin e partneritetit!

Rritja e bashkëpunimit dypalësh, përgatitjet për sezonin e dimrit kur ulen temperaturat e shtohet nevoja për ngrohje, si dhe rindërtimi i Ukrainës, ishin temat që u diskutuan mes kryeministrit ukrainas, Denys Shmyhal dhe kryeministres britanike, Liz Truss. Në njoftimin zyrtar të Kievit thuhet:

Palët prekën çështjen e intensifikimit të furnizimit me armë për të mbrojtur Ukrainën dhe forcimin e sanksioneve kundër naftës e gazit rus. Në kuadër të diversifikimit të burimeve të energjisë dhe përgatitjes për sezonin e ftohtë, kryeministrat diskutuan nevojën për të rritur prodhimin respektiv të gazit, veçanërisht në Ukrainë.

Sipas kryeministrit ukrainas Shmyhal, vendi i tij është i interesuar në tërheqjen e biznesve britanike për të investuar në Ukrainë për prodhimin e gazit.

Ne presim që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të marrë vendimet e nevojshme për të siguruar biznesin britanik në Ukrainë kundër rreziqeve ushtarake.

Palët folën edhe për mbajtjen e konferencës së ardhshme për rindërtimin e Ukrainës, konferencë e planifikuar të zhvillohet në Britani të Madhe.  Në veçanti, kryeministrat ranë dakord të krijojnë një grup pune që do të përgatitet për takimin në vitin 2023.

Jam i bindur se Mbretëria e Bashkuar do të jetë partneri ynë kryesor jo vetëm në kundërshtimin e armatosur të Rusisë, por edhe në rindërtimin e vendit tonë.

Ndërkohë, shefja e qeverisë së Londrës siguroi homologun e saj se politika e Britanisë për të mbështetur Ukrainën mbetet e pandryshuar. Një ditë më parë, Truss deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do të ndajë të paktën 2.6 miliardë dollarë, si ndihmë ushtarake për Ukrainën, në vitin e ardhshëm.

Në një tjetër zhvillim, centrali bërthamor i Zaporizhjas u vu nën shënjestrën e zjarrit rus, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë. Operatori ukrainas, Enerhoatom tha se sulmet dëmtuan pajisjet e reaktorit të vetëm funksional. Ndërkohë, u aktivizuan dy gjeneratorët me naftë të sistemeve të sigurisë. Luftimet përreth centralit kanë rritur shqetësimet për një katastrofë të mundshme bërthamore.