Bota

Britania e Madhe premton 6 milionë paund për banorët e Gazës!

Britania e Madhe është zotuar të ofrojë një ndihmë me vlerë 6 milionë paund (7,6 milionë dollarë) për banorët e Gazës – ndërsa ministrja e Zhvillimit Ndërkombëtar, Anneliese Dodds ndodhet në një vizitë zyrtare në Jordani.

Dodds bëri thirrje për paqe në Lindjen e Mesme – dhe premtoi një paketë të ndihmës që përfshinte ushqim, ujë, ilaçe, arsim dhe mirëqenie për njerëzit e Gazës.

Ministrja britanike pritet të takohet me ministrat – për të diskutuar mënyrat se si Britania e Madhe dhe aleati i saj mund të punojnë – për të ndërmjetësuar një paqe në konfliktin Izrael-Hamas, si dhe për të shuar tensionet e tjera rajonale.

Izraeli ka shkëmbyer raketa përgjatë kufirit të tij verior me grupin militant Hezbollah me qendër në Liban, duke rritur shqetësimet se konflikti mund të përshkallëzohet.

Sekretari i Jashtëm David Lammy tha se Britania e Madhe qëndron “e gatshme dhe e përgatitur” nëse tensionet rriten, pasi qeveria paralajmëroi shtetasit britanikë në Liban që të largohen.

“Tani është koha për qetësi, nëse duam të arrijmë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme. Nuk është në interesin e askujt që tensionet të përshkallëzohen dhe të përhapen në të gjithë rajonin”, tha Lammy.