Rajoni

Britania paralajmëron sinjale mbi ndërhyrjen ruse në Bosnje!

“Ekzistojnë shenja të ndërhyrjes ruse në Bosnje-Hercegovinë, çka përbën rrezik për kthim në kohët e errëta, por kjo gjë duhet të ndalet!”. Kërkesën e bën sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, pas takimit me shefen e diplomacisë së Bosnjës, Bisera Turkoviç, sot në Sarajevë.

Eshtë e domosdoshme që këtu në Bosnje të punohet edhe më shumë për të mbrojtur paqen e për të parandaluar që ky shtet t’i kthehet konflikteve. Britania ofron mbështetje kryesore për Bosnje-Hercegovinën.

Po ashtu, Truss foli për një paketë investimi për Ballkanin Perëndimor, si “alternativë ndaj investimeve që vijnë me ndikime negative”. Paketa në vlerë 100 milion dollarë, përfshin investime deri në vitin 2025.

Sekretarja britanike theksoi se “duhet të ofrohet mbështetje për shtetet që luftojnë për liri dhe demokraci”.

Situata në Bosnje-Hercegovinë e tani edhe gjendja në Ukrainë, tregojnë se ne duhet të mësojmë nga e kaluara, ndërsa demokracia dhe liria duhet të tejkalojnë agresionin autokratik.

Ndërkohë, pas takimit me kolegen britanike, Bisera Turkoviç nënvizoi:

Bosnje-Hercegovina dhe i gjithë rajoni janë në një pikë kthese: ose do të lëvizim drejt paqes e stabilitetit brenda komunitetit euro-atlantik ose do të përfshihemi në lojëra të rrezikshme, me qëllim destabilizimin e të gjithë Europës.

Turkoviç shprehu besimin që garantimi i statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian për Bosnje-Hercegovinën do të përbënte një “mesazh të mirë për këdo që luan me notat ruse”.

Republika Sërpska dhe Federata Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje-Hercegovinën. Ky organizim zbatohet mbi bazën e të ashtuquajturës Marrëveshje të Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.