Bota

Britania “pendohet”, nuk do të kërkojë pasaportë vaksinimi anti-COVID!

Në Britaninë e Madhe, autoritetet vendosën të mos kërkojnë pasaportën e vaksinimit kundër koronavirusit për të hyrë në klube nate e në të tjera evente me grumbullime njerëzish. Në këtë mënyrë, Londra kthen pas politikën e mëparshme, pavarësisht kundërshtimeve nga disa ligjvënës.

Për BBC-në, Sekretari i Shëndetësisë, Sajid Javid deklaroi:

Përkohësisht, Qeveria e ka arkivuar kërkesën për pasaportë, për ta rishqyrtuar mundësinë e përdorimit të saj, nëse rritet shumë numri i të infektuarve me koronavirus.

Ne kemi bërë analiza dhe ndonëse duhet të ekzistojë si mundësi potenciale, e them me gëzim se nuk do të çojmë përpara planet për pasaportë të vaksinës.

Dokumentet që vërtetojnë vaksinimin kundër koronavirusit janë duke u kërkuar në disa vende europiane, përfshirë Italinë e Francën ku përmes paraqitjes së tyre lejohet hyrja në restorante e aktivitete të tjera.

Jashtë Europës, është Afrika e Jugut që planifikon të prezantojë pasaportën e vaksinës, ndonëse raportohet për hezitim të madh për imuinizim në këtë vend. Në një fjalim televiziv para kombit, presidenti Cyril Ramaphosa tha se “të imunizuarit janë kyç për rihapjen e ekonomisë dhe shmangien e një vale të katërt të infektimeve”.

Brenda dy javësh, Qeveria do të ofrojë më shumë informacione për akses ndaj pasaportës së vaksinës. Një ulje e qëndrueshme e numrit të të infektuarve do të mundësojë lehtësim të masave kufizuese anti-COVID.