Aktualitet

Bruksel, miratohet rezoluta për Shqipërinë: Forcim i transparencës e llogaridhënies!

Vetëm pak ditë përpara se krerët e vendeve të BE-së dhe shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen të vizitojnë Tiranën, Shqipëria dhe rruga e saj europiane ishin subjekt diskutimi në Bruksel.

Një rezolutë me disa amendime të propozuara nga Partia Demokratike është miratuar atje, me në fokus veç të tjerash rritjen e sigurisë ndaj sulmeve kibernetike dhe marrjen e masave për ruajtjen e të dhënave personale.

Draft-rezoluta : Komiteti ndërparlamentar i Stabilizimit dhe Asociimit shpreh shqetësimin e tij për faktin se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me nivele domethënëse të ndërhyrjeve të huaja e fushatave dezinformuese dhe janë viktima të sulmeve kibernetike; i bën thirrje qeverisë shqiptare që të marrë masa për të parandaluar përsëritjen e shkeljeve masive të të dhënave personale dhe të harmonizojë legjislacionin kombëtar me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR); i apelon mbi BE-në dhe shtetet anëtare të saj që t’i ofrojnë Shqipërisë, si dhe aleatëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor, ndihmën e nevojshme.

Drafti trajton çështje dhe shqetësime që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve; thekson, në këtë drejtim, rëndësinë e forcimit të transparencës, llogaridhënies dhe gjithë përfshirjes së procesit; nënvizon rolin e Kuvendit në sigurimin e një kontakti të gjerë me qytetarët në këtë drejtim e inkurajon BE-në të vazhdojë të përshpejtojë ritmin e procesit të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, bazuar në kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e mbështetjes në merita.

Rezoluta po kështu nënvizon përgjegjësinë e përbashkët të forcave politike të Shqipërisë për të forcuar dialogun dhe bashkëpunimin konstruktiv politik, e rikujton rëndësinë e një qasjeje konsensuale ndaj reformës zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias,(përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të blerjes së votës.