Aktualitet

Bruksel, sot samiti BE-Ballkani Perëndimor!

Në Bruksel sot nis samiti dy-ditor i liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, me fokus politikën e zgjerimit. Por, nisur nga deklaratat dhe zhvillimet e fundit, nuk priten vendime konkrete sa i përket nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut apo diçka tjetër konkrete për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, diskutohet statusi i kandidatit për Ukrainën e Moldavinë.

Pasi vunë në dyshim pjesëmarrjen, liderët e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut, konfirmuan praninë në samitin e BE-së me rajonin. Kryeministri Rama u shpreh:

Ne do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Europian që mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Europës e për rrëmbimin tonë nga Bullgaria, që e shkatërron atë.

Ndërsa për çështje të karakterit historik Bullgaria mbante të bllokuar bisedimet e Maqedonisë së Veriut me BE-në, Sofja hoqi veton, pasi kreu i opozitës bullgare, Borisov njoftoi votën në favor. Në këtë mënyrë, duhet të hapet rruga jo vetëm për vendin fqinj, por edhe Shqipërinë. Të dy shtetet ballkanike janë bashkë në procesin drejt integrimit europian e presin çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Por, rrëzimi i qeverisë së Kirill Petkovit vetëm 24 orë para fillimit të punimeve të Samitit të Bashkimit Europian në Bruksel tronditi jo pak politikën europiane e aspiratat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për “PO-në” e shumëpritur në nisjen e negociatave. Mediat bullgare e cilësuan “lajm jo shumë të mirë për dy vendet, për shkak se procesi i votimit për hapjen e konferencës së parë të negociatave, po bëhet në periudhë krize për vendin”.

Po ashtu në samitin dy-ditor pritet të shprehet mbështetje e qartë politike për liberalizimin e vizave për Kosovën. Që nga viti 2018, Komisioni Europian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por ende nuk ka një vendim të insitucioneve europiane për këtë çështje.