Rajoni

Bruksel, takimi i radhës Kosovë-BE i Këshillit të Stabilizim Asociimit!

Në Bruksel sot zhvillohet takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Europian. Delegacionin e Kosovës e udhëheq kryeministri, Albin Kurti, ndërsa të BE-së, shefi i politikës së jashtme, Josep Borrell dhe eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Takimi do të jetë një rast për të analizuar raportet mes palëve, situatën aktuale në Kosovë e vërejtjet e mundshme në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga MSA-ja. Po ashtu, pritet të flitet mbi dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Këshilli i Stabilizim Asociimit është formuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Europian e aty analizohet zbatimi i akordit nga të dy palët. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është e para kontraktuale dhe e vetmja ndërmjet Kosovës e Bashkimit Europian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016 dhe synon të mbështesë përpjekjet e Kosovës për forcimin e demokracisë e shtetin e së drejtës.

Në delegacionin e Kosovës po ashtu bëjnë pjesë: zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala.

Edhe pse ishte paralajmëruar se para fundit të këtij viti mund të ketë një takim në nivelin e lartë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në BE kanë thënë se për momentin nuk shohin gatishmëri të palëve për të arritur ndonjë rezultat konkret në dialog. Në këto rrethana nuk mund të parashikohet nëse së shpejti do të ketë ndonjë takim në kuadër të dialogut, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Kurti pritet të takohet edhe me presidentin e Parlamentit Europian, David Sassoli.