Rajoni

Bruksel, vijon dialogu Kosovë-Serbi në nivel kryenegociatorësh!

Në Bruksel sot vijon dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh. Ashtu si në të kaluarën, secila palë pritet të ketë takime me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për Dialogun, Mirosllav Lajçak e më pas mund të zhvillohet një takim i përbashkët. Delegacionin e Prishtinës e drejton Besnik Bislimi, të Serbisë, Petar Petkoviç. Diskutimet do të vazhdojnë për temat e tre javëve më parë, përfshirë çështjen e targave të makinave.

Pas takimit të fundit Prishtinë-Beograd, BE-ja doli me një deklaratë ku theksonte se “për çështjen e targave, regjimi me letra ngjitëse do të vazhdojë të zbatohet, nëse nuk arrihet marrëveshje përfundimtare”. Sipas zyrtarëve europianë, afati prej gjashtë muajsh ishte për grupet e punës e jo për të arritur zgjidhjen finale. Tashmë kjo çështje do të diskutohet në nivel kryenegociatorësh.

Bashkimi Europian dhe bashkësia ndërkombëtare kanë përsëritur se nga të dyja palët, presin që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili do të mund të rrezikonte sigurinë në terren e do të ndërlikonte edhe më shumë përparimin në dialog.

I përballur me mungesën e suksesit në këtë proces, përfaqësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak, po tenton që së shpejti, të arrihet një marrëveshje në mënyrë që të hapet rruga edhe për një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç.

Të dy liderët e Prishtinës e të Beogradit nuk janë takuar në kuadër të dialogut që prej verës së vitit të kaluar, por pak ditë më parë, Kurti dhe Vuçiç ishin pjesë e një darke joformale në Berlin. Në kryeqytetin gjerman shkuan me ftesë të kancelarit, Olaf Scholz.

Ndërkohë, kryediplomati europian, Josep Borrell, ka bërë të ditur se “nuk do t’i ftojë liderët në takime të nivelit të lartë nëse nuk merr sinjale të qarta se në një takim të tillë do të shënohet përparim konkret”. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, nisi në vitin 2011. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk gjejnë zbatim në terren.