Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Aktualitet

‘Bujqësia e braktisur’, Çuçi i përgjigjet Metës: “Po bën fushatë me postin”

Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi i është përgjigjur Presidentit Ilir Meta i cili deklaroi më herët se prej 2017 bujqësia dhe blektoria është shpopulluar. Sipas Çuçit Meta po bën fushatë me postin e tij, teksa i kujton se kur ishte zv/kryeministër në qeverinë Berisha, vetëm 202 milionë lekë shkonin për blegtorinë. Sipas tij, sot 3754 fermerë përfitojnë nga buxheti i shtetit dhe në dispozicion janë 727 milionë lekë.

Kreu i shtetit që ka zgjedhur të bëjë fushatë me postin e Presidentit në shkelje të hapur të Kushtetutës edhe sot kur foli për blegtorinë thotë të pavërteta. Kur ai ishte zëvendës i qeverisë së Saliut në vitin 2012, nga buxheti i shtetit mbështetja për blegtorinë ishte vetëm 202 milionë lekë dhe numri i përfituesve 2178 fermerë. Kur partia e tij la drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2017 numri i përfituesve zbriti frikshëm në vetëm 844 fermerë. Numri më i madh i përfituesve ka qenë në tri vitet e fundit, duke arritur në 3754 fermerë në vitin 2020 me një buxhet plot 727 milionë lekë. Në këtë vit masa e përfitimit është më e madhja për krerë, krahasuar me vitet e mëparshme. Po kështu, edhe numri i përfituesve dhe fondi i përdorur është më i madhi në gjithë periudhën (2012-2020).

Nga Skemat Kombëtare për periudhën 2017-2020 kanë përfituar drejtpërdrejt 13800 fermerë dhe agrobiznese nga masat mbështetëse direkte dhe projekte investimesh me një fond të përdorur prej rreth 3.5 miliardë lekësh. Kurrë më parë s’ka pasur një mbështetje të tillë për bujqësinë në tërësi dhe sektorin e blegtorisë. Kemi nisur ndërkohë reformimin e Shërbimit Veterinar, i cili mori një goditje fatale në vitet kur partia e Presidentit drejtonte Ministrinë e Bujqësisë. Fermerët do të përfitojnë vaksinim dhe matrikullim falas për kafshët blegtorale dhe do të mbulohet me shërbim i gjithë territori i vendit. Faktet që kreu i shtetit refuzon t’i shikojë, dëshmojnë se në “rënie të lirë” nuk është bujqësia, por vetë Presidenti që ka braktisur rolin kushtetues për të bërë udhëheqësin e dëshpëruar të opozitës pa shpresë”, -shkruan Çuçi.

Top Albania Radio