Aktualitet Travel

Bukuritë e rralla të Sazanit e Karaburunit, më shumë anije turistike për t’i shijuar!

Në nisje të sezonit turistik në Vlorë, anijet e vogla turistike të ankoruara në Portin Detar, tashmë kanë filluar udhëtimet e para drejt ishullit të Sazanit e gadishullit të Karaburunit. Nga të dhënat zyrtare, mësohet se në muajin prill, si dhe gjithashtu në ditët e para të majit, grupe të vogla turistësh janë nisur me anijet turistike, për të shijuar imazhet fantastike që të ofron zona, në të gjithë magjinë e saj.

Për të përballuar fluksin e turistëve, që këtë vit pritet të jetë i lartë, për këtë sezon turistik, operatorët që zgjedhin të nisen nga Porti i Vlorës drejt destinacioneve joshëse si Karaburuni e Sazani, vendosën të shtojnë numrin e anijeve. Aktualisht operojnë katër anije turistike, ndërsa në sezonin turistik do të jenë 14 mjete lundruese, të licencuara për të kryer të tilla udhëtime, që ndër të tjera ofrojnë mundësinë për të shijuar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Sazan-Karaburuni, i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë, që ndodhet në Vlorë, vitet e fundit është kthyer në një destinacion turistik, ku vizitorë të shumtë vendas e të huaj udhëtojnë me anijet turistike, të cilat nisen nga porti i Vlorës.

Me një shtrirje detare rreth 1,9 kilometra, në këtë park detar ndodhen monumente të natyrës si Shpella e Haxhi Aliut, atraksioni më i vizituar nga turistët, gjiri natyror dhe kulturor i Gramës që përbën skajin më të largët jugor të parkut detar e ishulli i Sazanit, që kryeson listën e zonave më të preferuara për vizitorët e sigurisht, ka se çfarë të ofrojë.

Me të tilla brigje si të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, parku detar servir një panoramë unike, për gjithë të apasioniarit pas natyrës e qetësisë. Ky park është korridori më rëndësishëm i specieve si breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinë, madje edhe peshkaqenë. Në vitin 2010, Karaburun-Sazani u shpall Park Kombëtar Detar.