Bota

Bullgaria do të shpërblejë ata që vaksinohen kundër koronavirusit!

Bullgaria po shqyrton mundësinë që të ofrojë stimuj, për të nxitur qytetarët të vaksinohen kundër koronavirusit. Këtë e bëri të ditur sot kryeministri i përkohshëm, Stefan Yanev.

Bullgaria është mes atyre pak shteteve që iu ofrojnë mundësinë qytetarëve të zgjedhin vaksinën ndërmjet katër llojeve. Sipas të dhënave, deri tani në Bullgari është vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit 14.5% e popullsisë së rritur çka e bën njërin prej vendeve me nivelin më të ulët të vaksinimit në Bashkimin Europian.

Mes arsyeve kryesore të mosbesimit në vaksina në Bullgari veçohet frika e qytetarëve ndaj produkteve të reja mjekësore. Një arsye tjetër është se rreth 400.000 qytetarë e kanë kaluar COVID-in duke fituar imunitet.

Kryeministri Yanev deklaroi:

Ne nuk planifikojmë të detyrojmë askënd të marrë vaksinën por po shqyrtojmë mundësinë që njerëzit të cilët marrin dozën e dytë, të fitojnë disa kuponë!

Sofja ka hapur njësi të veçanta të vaksinimit në parqe, që njerëzit të mund të vaksinohen më shpejt e po ashtu po planifikon fushata vaksinimi në lagjet e banuara nga romët, që të bindë pjesëtarët e këtij komuniteti për përfitimet nga vaksinat.

Nëse dështojnë të përshpejtojnë fushatën e vaksinimit, autoritetet bullgare do të detyrohen të hedhin vaksinat, të cilat kanë afat skadence.

Bullgaria mund të përballet me rrezik të tillë deri në fund të gushtit dhe po punon me BE-në për të parë mundësitë e dhurimit të rreth 150.000 dozave të vaksinave për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e përkohshme bullgare do të qëndrojë në detyrë deri në formimin e një qeverie të re, pas zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, të planifikuara për më 11 korrik.