Aktualitet Rajoni

Bullgaria heq afatet për t’i thënë “PO” Maqedonisë së Veriut në BE!

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev pas përfundimit të mbledhjes së sotme të Këshillit për siguri kombëtare ka deklaruar se Maqedonia e Veriut nuk e ka realizuar atë çfarë është e nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar në vitin 2017 dhe se nuk ka garantuar që do të përmbushë detyrimet nga e njëjta.

“Dhënia e pëlqimit për fillim të negociatave për anëtarësim në BE të Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk duhet të jetë e lidhur me afatet, por me rezultate reale, përfshirë edhe në raport të të drejtave të bullgarëve të Maqedonisë. Ne asnjëherë nuk kemi mohuar dhe nuk do ta mohojmë të drejtën e qytetarëve të RMV-së të përcaktohen në bazë të vetëdijes dhe t’i ruajnë gjuhët në përputhje me Kushtetutën. Bullgaria ruan barazinë e tërësishme të bullgarëve të Maqedonisë me kombet tjera në RMV

Presidenti bullgar potencoi se të drejtat e bullgarëve të Maqedonisë janë pika kyça e kriterit të Kopenhagenit për anëtarësim në BE për të cilat nuk mund të negociohet, kurse sipas tij, është e nevojshme një aksion gjithëpërfshirës për resurse që të kthehet besimi dhe të fuqizohet bashkëpunimi. Radevi konsideron se të rëndësisë së veçantë janë projektet për sigurim të infrastrukturës digjitale dhe transportuese.

Në mbledhjen e Këshillit siç deklaroi Radev janë dhënë rekomandimet si:

Gjatë vendosjes së politikës së brendshme, Këshilli Ministror të mbajë llogari për pozitën kombëtare të Bullgarisë, duke respektuar kërkesat e Marrëveshjes së vitit 2017, Kornizën nga viti 2019 dhe Deklaratën e 44-të të Kuvendit Kombëtar.

Dhënia e pëlqimit për fillim të negociatave  të Maqedonisë së Veriut në BE nuk duhet të lidhet me afate, por me rezultate reale, veçanërisht në raport me bullgarët e Maqedonisë.

Pushteti ekzekutiv të vazhdojë të angazhohet për njoftimin për realizimin e Marrëveshjes nga viti 2017 në procesin negociues për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.

Pushteti ekzekutiv të përgatisë dhe sigurojë plan për masa për arritjen e një përparimi të dukshëm në të gjitha fushat në raportet bilaterale.

Pushteti ekzekutiv t’u propozojë partnerëve të RMV-së formimin e grupeve të punës në fushat në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2017.

Pushtetet ekzekutive të ndërmarrin masa për përshpejtim të ndërtimit të Korridorit 8 bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë – si projekt i vetëm për autostradat, hekurudhat, lidhjet energjetike dhe digjitale.

Kuvendi kombëtar duhet t’i propozojë trupit ligjvënës të Maqedonisë së Veriut vendosjen e dialogut të strukturuar ndërmjet grupeve për miqësi dhe komisione parlamentare, me të cilat do të përforcohej besimi dhe do të mbështetej procesi gjithëpërfshirës.