Bota

Bullgaria në zgjedhje politike e presidenciale!

Bullgarët me të drejtë vote janë thirrur sot t’u drejtohen qendrave të votimit për zgjedhjet e treta parlamentare të këtij viti. Votimi po zhvillohet për shkak se legjislatura e Asamblesë Kombëtare nuk ishte në gjendje të mblidhte një shumicë qeverisëse pas zgjedhjeve të fundit, në muajin korrik.

Gjithashtu, rreth 6.7 milion votuesve iu kërkohet po sot, të zgjedhin kryetarin e ri të shtetit, mes një totali prej 23 kandidatësh në garë. Presidenti aktual i vendit, Rumen Radev konsiderohet i preferuari, për një tjetër mandat presidencial në krye të Bullgarisë.

Nëse në këtë raund të parë, askush nuk siguron më shumë se gjysmën e votave, pashmangshmërisht që gara do të shkojë në balotazh mes atyre që respektivisht renditen në vend të parë e të dytë.

Sipas sondazheve të opinionit, partia GERB e ish-kryeministrit Boyko Borissov, e cila u votua jashtë detyrës në prill, mund të bëhet forca më e fortë në Parlamentin e Bullgarisë, me deri në 24% të votave.

Por pjesa e diskutueshme dhe më e vështirë që shtrohet është nëse konservatorët bullgarë do të jenë në gjendje të gjejnë partnerë koalicioni, në një legjislaturë, për të mbledhur të paktën gjashtë parti politike. Një subjekt i ri që në fokus të betejës zgjedhore ka luftën kundër korrupsionit e prezantohet me logon: “Ne vazhdojmë ndryshimin” (PP), mund të presë të sigurojë deri në 16% të mbështetjes së qytetarëve në Bullgari, referuar sondazheve. Nëse parashikimet e anketave konfirmohen kur sot në mbrëmje të dalin rezultatet e para, mund të formohet një qeveri e orientuar drejt reformave, por kjo mbetet të shihet.