Rajoni

Bullgaria pret marrëveshje me Maqedoninë e Veriut para mesit të dhjetorit!

Daniel Lohrer nga partia bullgare: “Ne vazhdojmë ndryshimin”, tha se “nuk është reale të pritet që deri më 14 dhjetor të ketë marrëveshje me Shkupin dhe heqje të vetos për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit mes Maqedonisë së Veriut e Bashkimit Europian”. “Ne vazhdojmë ndryshimin” doli e para në zgjedhjet e 14 nëntorit e pritet të formojë qeverinë e re, në koalicion me tre të tjera. Lohrer, i cili konsiderohet si kandidati më serioz për kryediplomat i Sofjes, deklaroi:

Nëse mbetet vetëm historia për të lëvizur negociatat mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, nuk mund të pritet rezultat mjaft i mirë për të dyja palët. Dallimet për gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike, por edhe të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, janë çështjet për të cilat duhet gjetur zgjidhje, në mënyrë që Sofja të heqë veton për Shkupin, të cilën e ka vendosur nëntorin e kaluar. Rruga, jo vetëm e Maqedonisë së Veriut, por edhe e Shqipërisë e vendeve të tjera të rajonit është në BE dhe Bullgaria do të donte që kur Maqedonia e Veriut të hynte në atë proces, kjo gjë të ndodhë pa shkelur të drejtat e bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut!

Por, Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha sot se “Shkupi ende beson se deri në dhjetor mes dy vendeve mund të ketë përparim e zhbllokim të procesit të integrimit europian”.

Muajin dhjetor e shohim si një dritare të mirë, si mundësi dhe nevojë për të përqendruar të gjithë energjinë e brendshme, rajonale dhe europiane për të shfrytëzuar këtë mundësi, e cila është shumë e rëndësishme, jo vetëm për historinë tonë, por për besueshmërinë e të ardhmes europiane.

Osmani i bëri komentet pas takimit me Ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart. Diplomati austriak nënvizoi se BE-ja është e interesuar për marrëveshje mes dy shteteve e për një të ardhme më të mirë për vendet e rajonit.

Fillimi i negociatave nuk është një mundësi e mirë vetëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë, por gjithashtu për Bashkimin Europian. Perspektiva europiane është e rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor.