Aktualitet Politikë

Bullgaria propozoi ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut sa i përket negociatave me BE/ Presidenti Meta përshendet vendimin.

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur qëndrimin e Bullgarisë, që propozon nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Mbetem gjithashtu me bindjen e plotë se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të jashtëzakonshëm qoftë me zbatimin e reformave, qoftë me arritjen e një Marrëveshjeje historike si ajo e Prespës“, thotë ndër të tjera kreu i shtetit në një deklaratë.

DEKLARATA 

E përshëndes qëndrimin e Bullgarisë, që propozon nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Përparimi i secilit vend në bazë të meritave individuale ka qenë një nga parimet kyç të miratuara në Samitin e Selanikut në vitin 2003.

Do të vazhdoj të mbështes dhe inkurajoj çdo hap, që na çon sa më parë drejt anëtarësimit europian, në përmbushje të objektivit tonë strategjik kombëtar.

Mbetem gjithashtu me bindjen e plotë se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të jashtëzakonshëm qoftë me zbatimin e reformave, qoftë me arritjen e një Marrëveshjeje historike si ajo e Prespës.

E përshëndes qëndrimin dinjitoz të autoriteteve maqedone për të vijuar të palëkundur në kursin pro-europian të reformave që u shërbejnë qytetarëve dhe aspiratës për anëtarësim në BE.

Bullgaria kërkesë zyrtare: Shqipëria të ndahet nga Maqedonia dhe t’i hapen negociatat.

Pak ditë më parë Bullgaria kërkoi zyrtarisht nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të ndahen për sa i përket procesit të negociatave për integrimin në BE. Bullgaria ka kërkuar që Shqipëria të gjykohet për meritat e saj dhe të vijojë rrugën drejt integrimit, ndersa Maqedonia e Veriut nuk plotëson ende kriteret për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, thuhej në reagimin e qeverisë bullgare.

Këtë propozim e ka bërë edhe Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi.

Vendimi për hapjen e negociatave është bllokuar për shkak të vetos që Bullgaria i ka vendosur Maqedonisë së Veriut. Por shtetet anëtare të BE-së kanë kundërshtuar ndarjen në procesin e hapjes së negociatave, duke penalizuar kështu edhe Shqipërinë.