Sport

Bundesliga/ Talenti shqiptar i shkakton Bayern-it humbjen e parë sezonale!

Në Champions fluturon, por në kampionat vuan. Pas tre barazimesh radhazi, Bayerni i Mynihut ka pësuar edhe humbjen e parë sezonale, pikërisht në derbin bavarez të Augsburgut në transfertë, ku u mposht me rezultatin minimal 1-0.

Kur pritej që bavarezët të reagonin dhe të riktheheshin te fitorja, pas tre barazimesh, erdhi edhe kjo disfatë, teksa fati i takimit u vendos nga sulmuesi shqiptar Mërgim Berisha, që shënoi me një penalti në lëvizje në minutën e 59’, duke u dhënë tre pikët të tijve.

Një ndeshje për t’u harruar për Sadio Mane, që çon në 6 numrin e takimeve pa shënuar, ndërsa bavarezët, pas 10 sezonesh radhazi kampionë, këtë sezon tregojnë se do të vuajnë jo pak mungesën e Lewandowskit.

Reagon mirë Borussia Dortmund, që lë pas krahëve humbjen ndaj Leipzig dhe merr tre pikët falë fitores minimale 1-0 në derbin e Ruhrit ndaj Schalke 04-ës. Verdhezinjtë ngjiten kështu në krye të renditjes, duke përfituar maksimalisht nga disfata e Bayernit.

Në “Signal Iduna Park”, lajmi i keq ishte dëmtimi i Marco Reus, që la fushën e lojës me ndihmën e barelës në minutën e 28’ dhe duket se do të mbetet edhe jashtë Botërorit, ndërsa lajm i mirë është që golin e fitores e shënoi 17-vjeçari Moukoko, i cili erdhi nga stoli dhe u dha tre pikët të tijve.

Stuttgarti zhgënjen sërish, pasi u mposht në shtëpi me rezultatin 1-3 nga Eintrachti i Frankfurtit, ndërsa Bayer Leverkusen nuk shkon dot përtej barazimit 1-1 ndaj Werder Bremen.