Sociale

Burgime të përjetshme për vrasësit e grave në Shqipëri

Gjykata e Fierit shpalli të enjten fajtor tre autorët e vrasjes së një gruaje 52-vjeçare, e cila sipas hetimeve të prokurorisë u përdhunua para se të hidhej në një rezervuar ku u gjet e mbytur nga policia në janar të vitit 2020.

Gjykata dënoi Ervis Zotajn me burgim të përjetshëm, si autorin kryesor për vrasjen e Drita Saliajt dhe dy bashkëpunëtorët e tjerë të mitur, Sindi Shehaj dhe Luis Saliaj me 17 dhe 14 vite burgim.

Të rinjtë dëshmuan në prokurori se kishin shkuar në shtëpinë e viktimës në fshatin Gjerbës të Mallakastrës për të marrë para, por gruaja i ka njohur dhe situata u kishte dalë jashtë kontrollit.

Ervis Zotaj, i cili u dënua me burgim të përjetshëm ishte nipi i bashkëshortit të viktimës, i cili në momentin e krimit ndaj bashkëshortes ndodhej në emigrim.

Prokuroria e Fierit po të enjten njoftoi se mbylli hetimet për një tjetër vrasje të një gruaje dhe në kërkesën për gjykim kërkon dënimin me burgim të përjetshëm të autorit Elton Bengajt.

Elton Bengaj akuzohet për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, 23-vjeçares Sabrina Bengajt, në tetor 2021 në qytetin e Fierit.

Vrasja ndodhi brenda banesës së prindërve ku 23-vjeçares megjithëse kishte një “urdhër mbrojtjeje” nga gjykata u qëllua nga ish-bashkëshorti me armë zjarri.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet shqetësim kryesor në Shqipëri.

Sipas të dhënave policore gjatë vitit 2021 në Shqipëri 18 gra humbën jetën pasi u vranë nga bashkëshortët, ish bashkëjetuesit apo të afërm të tyre.

Sipas raportit “Burra dhe gra 2021 ” të Institutit shqiptar të Statistikave “në vitin 2020 numërohen 17.829 persona të dëmtuar nga veprat penale, prej të cilëve 4.546 janë gra, rreth 25,5 % e totalit”.

Raporti pohon se “të mitur të dëmtuar nga veprat penale janë 1.035 ose 5,8 % ndaj totalit ndër të cilët 270 janë vajza dhe 765 janë djem të dëmtuar”. “Vajzat e dëmtuara nga krimet seksuale përbëjnë 20,7 % “, pohon raporti.

Raporti “Burra dhe gra “ pohon se “në vitin 2020, kanë raportuar dhunë në familje 3.333 gra”. “Rastet e dhunës në familje pasqyrojnë numrin e raportimeve të bëra në polici, fenomen i cili mund të shkaktojë dhe vdekjen e personit”, thuhet në raport.

“Në vitin 2020, nga 52 vrasje me dashje rreth 13,5 % e tyre kanë ardhur si rezultat i vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare”, pohon raporti./VOA