Aktualitet Politikë

Bylykbashi: PD do të jetë pjesë e Reformës Territoriale!

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaroi sot se Reforma Territoriale duhet të jetë konsensuale dhe e bazuar mbi konsultime parimore e jo mbi pazare. Në një konferencë për mediat, më herët gjatë ditës, nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi, Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Ivi Kaso dhe Sekretari për Pushtetin Vendor, Ylli Asllani deklaruan se Partia Demokratike “do të marrë pjesë në Reformën Territoriale”.

Oerd Bylykbashi deklaroi:

Partia Demokratike ka ngritur grupin e punës dhe po bëhet një studim në çdo degë të Partisë Demokratike, në lidhje me shqetësimet që kanë qytetarët në ato zona.

Dua ta them që në fillim se Reforma Territoriale ka dështuar që në vitin 2018. Ajo që ne dimë sot është që është larguar pushteti i zgjedhur nga qytetarët, pushteti tashmë është centralizuar. Partia Demokratike e ka denoncuar këtë aferë. Partia Demokratike ka mendim të qartë për të marrë pjesë dhe për të bërë më të mirën!

Gjithashtu, në kuadër të sekretariatit për pushtetin vendor është ngritur sekretariati në çdo rreth që të mblidhet kontributi i të gjitha viteve që Partia Demokratike ka pasur në Reformën Territoriale.

“Reforma Territoriale është një instrument që nuk duhet humbur, sepse diçka e bërë keq për interesa të vogla politike, sjell pasoja të rënda më pas”, – u shpreh Oerd Bylykbashi.

Po ashtu, deputeti i opozitës shtoi se kanë shpërndarë një pyetësor, për të mbledhur mendime në çdo anë përsa i përket kësaj.

Kemi kapacitetet për të çuar një Reformë Zgjedhore, pas rreth 9 muajsh do të jenë edhe zgjedhjet vendore. Theksoj se ky do të jetë një vendim politik, që do të ketë mbështetjen politike. Nuk do të jetë një reformë false si ajo e vitit 2014, por një reformë territoriale e pushtetit vendor afatgjatë.

Ivi Kaso akuzoi maxhorancën se “po kërkon të përdorë Reformën Territoriale për të bërë ndryshime në Kushtetutë”.

Për shkak të situatës, në një farë mase paradoksale të krijuar me vendim të Kuvendit, dy komisione të posaçme kanë në fokus të punës së tyre dy reforma shumë të rëndësishme, të cilat për vetë natyrën janë të lidhura në mënyrë organike e të pazgjidhshme mes tyre.

Por, për fat të keq ne vlerësojmë që në mënyrë të qëllimshme janë duke ecur me shpejtësi të ndryshme. Nga njëra anë kemi Komisionin e Reformës Territoriale, i cili ka një plan pune të miratuar me afate të miratuara, pra ka një afat se kur do të përfundojë dhe t’i paraqitet produkti përfundimtar publikut e nga ana tjetër kemi Komisionin e Reformës Zgjedhore, që është në stanacion, jo pa qëllim. Nuk mund të ketë një Reformë Territoriale të plotë e të mirëmenduar që t’i shërbejë qytetarëve, pa vlerësuar të gjithë aspektet dhe implikimet elektorale që do të ketë çdo lloj propozimi për Reformën e ardhshme Territoriale Administrative.

Konsensusi brenda Parlamentit do ta donte që të ecim me të njëjtën shpejtësi. Nuk është duke ndodhur! Kështu që ne jemi duke monitoruar këtë situatë nga afër, në mënyrë që një dakordësi eventuale ose një produkt konsensual për Reformën Territoriale, të mos shërbejë si pretekst për të bërë pazare tek Reforma tjetër Zgjedhore dhe tek Komisioni i Reformës Zgjedhore ku haptazi maxhoranca ka shprehur preferencën e saj për ta prekur Kushtetutën.