Politikë Sociale

Ca fakte për skenaristët dhe konspiracionistët antiamerikanë! Opinion nga Denis Dyrnjaja.

Amerika e ruajti Shqipërinë shekullin e kaluar nga copëtimi fatal territorial, rrëzoi komunizmin në Europë, përfshirë dhe Shqipërinë. U vu në krye të bombardimeve për çlirimin e Kosovës dhe i dha asaj pavarësinë. Këto sa për parantezë historike. Tani vijmë te realitetet politiko/faktike.

Amerika na e ka fajin që nuk krijuam dot një sistem real demokratik, ku zgjedhjet bëhen zgjedhje e jo vjedhje?!

Amerika na e ka fajin që partitë politike i krijuam dhe trajtuam si biznese private familjare, ku ligji i pashkruar është si të bëjmë më shumë pasuri e pare?!

Amerika na e ka fajin që në vend që të ndërtonim drejtësinë reale, krijuam drejtësinë banale, me pazare, korrupsion e paaftësi me pasoja fatale?!

Amerika na e ka fajin që nuk krijuam dot shtet, besim dhe prosperitet si çdo komb e qytetërim që nuk ka si zgjidhje largimin e popullit në emigirn?

Amerika na e ka fajin që për lakmi pushteti e pasurim, telendisim njëri tjetrin duke u bëre për botën referencë habije dhe dëfrim?!

Amerika na e ka fajin për hipokrizinë gjenetike, për skuthërinë epike, për krenarinë e përdalë tamam si një prostitutë që pretendon se është me virtyte dhe grua e rrallë?!

Amerika na e ka fajin që prodhojmë dhe bazojmë gjithçka mbi intriga e kulisa ku e drejta dhe merita s’kanë premisa?!

Amerika na e ka fajin për hajninë e pamatë ku disa pasurohen padrejtësisht e të tjerë s’kanë as bukë të vënë në pjatë?!

Amerika na e ka fajin për degjenerimin urban, për degradimin ambiental apo për deformimin mental e kultural?!

Le tja vëmë atëherë fajin për të gjitha Amerikës. Po atëherë ne kush jemi, pse jemi kështu siç jemi që Amerika të na trajtojë si qenie të magënta apo kurva haremi?!

Këtë dilemë ekzistenciale duhet të zgjidhim para se të përflasim nga mëngjesi deri në darkë bëri mirë apo keq Ambasadorja Amerikane që foli?! E teproi apo e tejkaloi cakun?! Duhet të vazhdojmë me fodullëk apo të pranojmë se brenda nesh kemi thjeshtë spurdhjakun?!

Dhe kur spurdhjaku bie në lekë, harron që deri dje ishte pa brekë dhe sot thotë: tani qepe ti që më ftillove se unë e di dhe do bëj siç dua vetë!