Aktualitet

Çadrat me vete, shirat e rënia e temperaturave na sjellin vjeshtën!

Në një ditë tipike vjeshte, sot territori i vendit tonë do të jetë nën ndikimin e kalimit të një fronti të ftohtë atmosferik, i cili sjell mot me vranësira e intervale të shkurtra kthjellimi. Po ashtu, çadrat duhet t’i kemi me vete pasi shirat bëhen të pranishëm me intensitet të ulët, ndërsa në zonat bregdetare e pjesërisht në Ultësirën Perëndimore, deri mesatar sa i përket intensitetit.

Hera-herës, reshjet pritet të jenë në formën e shtrëngatave dhe stuhive, shoqëruar me shkarkesa elektrike. Era do të fryjë nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 1-10 m/sek. Valëzimi në dete parashikohet i forcës 2-3 ballë. Sa i përket temperaturave, variojnë nga 8-23 gradë celcius.

Ndërkohë, subjekteve me veprimtari në fushën e detarisë, iu kërkohet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qenë të sigurt e parandaluar çdo rrezik të mundshëm nga kushtet e përkeqësuara të motit. Drejtoria e Përgjithshme Detare, DPD njofton se si rezultat i erërave të forta me drejtim jug-juglindje deri pasdite, moti do të jetë i përkeqësuar. Përmirësimi i situatës meteorologjike pritet pas orës 18:00.

Njoftimi:

Si rezultat i erërave të forta me drejtim jug-juglindje në datat 4-5 nëntor 2022 moti do të jetë i përkeqësuar. Zonat bregdetare do të përfshihen nga era me forcë 6-8 Bft me shpejtësi 10-25 m/s, lartësi dallge 1-2 m.

Drejtoria e Përgjithshme Detare kërkon bashkëpunimin e gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të qenë të sigurt dhe parandaluar çdo rrezik të mundshëm për shkak të kushteve të përkeqësuara të motit.

Përmirësimi i situatës meteorologjike do të jetë mbas orës 18:00, të datës 5 nëntor 2022.