Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Film & Tv

“Catch and Kill: The Podcast Tapes” një leksion mbi gazetarinë dhe përbindëshin Harvey Weinstein.

Raportimi i Ronan Farrow për Harvey Weinstein, që nga shkrimi i parë tek ‘The New Yorker’ në 2017 dhe më pas materialet e mbledhura në librin me të njëjtin titull në 2019 ndihmuan të kristalizonin një moment përcaktues në kulturën amerikane – gjithçka ndryshoi. Në dokumentarin e tij “Catch and Kill: The Podcast Tapes” shkohet përtej kësaj (është impresionuese se si ka akoma për të treguar) në sintetizimin e sjelljes prej përbindëshi të Weinstein dhe implikimit të shumë individëve në maja kompanish dhe organizatash për të ‘vrarë’ një histori të kapur prej më shumë se dy dekadash, e që vazhdonte sistematikisht.

Për ata që kanë lexuar librin, ose artikujt e Farrow – puna televizive e Fenton Bailey dhe Randy Barbato, gjithçka do të tingëllojë familjare, për ata që njihen për herë të parë me detajet e historisë gjithçka do u duket më shumë se skandaloze. HBO arrin të mbajë zgjuar momentumin e lajmit shokues të 4 viteve më parë i cili ndryshoi kulturën njëherë e përgjihtmonë (urojmë) duke rrëfyer monstruozitetin e Harvey Weinstein dhe operacionet e këtij të fundit për të zhdukur çdo provë që e lidhte me gratë të cilat i kishte abuzuar.

Drama e “Catch and Kill” është e denjë për një film Hollywood-i (ironike); Farrow një gazetar investigativ i NBC i cili pushohet nga puna kur ky i sjell historinë e Harvey Weinstein për ta transmetuar, nuk dorëzohet dhe e çon historinë tek revista ‘The New Yorker’ redaktorët e të cilës tregojnë në dokumentar për peripecitë e botimit të artikullit, ditët shkatërruese të verifikimit të fakteve, momente të cilat të bëjnë të të vijë keq për gazetarinë në Shqipërinë tonë të vogël, por edhe të të frymëzojë për të bërë më mirë në të ardhmen. (Farrow vazhdon të punojë për ‘The New Yorker’ sot e kësaj dite dhe së fundmi ka botuar një shkrim tronditës për rastin e Britney Spears dhe mbajtjes së saj nën kontroll që gjithashtu si në rastin e këtij dokumentari nisi një mori ndodhish tronditëse në jetën e këngëtares që urojmë të marrin drejtimin e duhur).

NBC News ka hedhur poshtë akuzat e Farrow për mos publikimin e historisë për të mbrojtur Harvey-n, duke thënë që në atë kohë historia nuk ishte gati nga Farrow, ky i fundit këmbëngul që rrjeti mediatik ishte i implikuar në mbrotjen e mogulit të kinemasë dhe bëmave të tij famëkeqe. Dokumentari i HBO tregon përtej abuzimeve të Harvey-t përpjekjet e këtij të fundit për të qepur gojën e gazetarëve – madje në një prej serive tregohet në detaje shqetësuese se si Farrow ndiqej nga Investigues Privatë (Private investigators, PI’s) në përpjekje për të ndaluar publikimin e shkrimit dhe denigrimit të burimeve të tij.

Duke i qëndruar bisedave audio të regjistruara – përfshirja imazherike e dokumentarit i qëndron besnike origjinës së historisë së investigimit, me plane që mbulojnë rrëfimet dhe portretin – shumë fotozhenik – të gazetarit. Por edhe pse vizualisht e kufizuar, struktura e “Catch and Kill” është joshëse. Mini-seriali nis me historinë e Italiano/Filipinezes Ambra Gutierrez dhe regjistrimit të saj të Harvey Weinstein në bashkëpunim me policinë e New York-ut, në 2015, por nuk e tregon në fillim mënyrën se si Farrow arriti të merrte regjistrimin pa prishur kontratën e ‘heshtjes’ (NDA – Non Disclosure Agreement). Po aq sa ngre punën e protagonistit seriali tregon edhe punën e jashtëzakonshme të kolegëve të tij përgjatë viteve si Ken Auletta i cili nuk arriti të bashkonte pikat në 2002 për krimet e Weinstein. Shkarazi përmendet edhe shkrimi i cili doli pak a shumë në të njëjtën kohë me atë të Farrow në ‘New York Times’ nga Jodi Kantor dhe Megan Twohey.

Farrow, Kantor dhe Twohey ja dolën të lidhnin faktet e pamohueshme për abuzimet skandaloze të shefit të Miramax – atij që yjet ekranit të madh falenderonin më shumë se Zotin kur merrnin statuja prej ari në ceremoni çmimesh, apo që e krahasonin edhe me vetë Zotin si rasti i Meryl Streep në ceremoninë e Gold Globe në 2012.

Ashtu si shumë të tjerë u përpoqën por nuk ja dolën dot ndërkohë që sot e kësaj dite askush nuk e di me siguri cili është numri i saktë i viktimave të Harvey-t. Gazetar i talentuar dhe rrëfyes shumë i mirë i punës së tij Farrow është si pak të tjerë në profesionin e tij, ç’ka e bën serialin e HBO edhe më të shijueshëm.

E vetmja gjë që do ishte fantastike do ishte përfshirja e gazetarëve të ‘New York Times’ të cilët botuan “She Said”, një linjë paralele si për të ‘vrarë’ një herë e mirë jo vetëm Harvey-n por të ngjashmit e tij dhe ata që jetojnë me mëndësinë e tij më shumë se disa fragmente. Fundja historia e tyre ishte para Farrow dhe meriton një mirënjohje po aq të madhe, sido të jetë puna “Catch and Kill: The Podcast Tapes” meriton të shihet për çdo njëri që do të kuptojë pak më tepër nga kohët që po jetojmë e sidomos nga ata që jetojnë me profesionin hyjnor të gazetarisë!