Sociale

Çdo 3 ditë, 1 viktimë në aksidente/ Shqipëria me bilancin më të keq të fataliteteve, 45% më shumë se BE

Megjithëse nga viti në vit ka një ulje, Shqipëria vijon të ketë një numër të madh aksidentesh dhe viktima të shkaktuara nga to. Referuar analizës 9 mujore të policisë rrugore rezulton se në vend janë shënuar 884 aksidente ku kanë humbur jetën 122 persona kryesisht të rinj.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT dhe përllogaritjet e Monitor, në vitin 2020 Shqipëria kishte 63.9 vdekje për 1 milion banorë nga aksidentet rrugore, nga 43 që ishte mesatarja për vendet e Bashkimit Europian, sipas Eurostat.

Vendi ynë renditet i teti ndër 37 vende në Europë për numrin e vdekjeve nga aksidentet rrugore në raport me popullsinë.

Eksperti Artur Sulçe arsyet e numrit të lartë të aksidentëve i gjen tek mosmenaxhimi i mirë i trafikut dhe rrugët e sinjalistikat jashtë standartit.

“Mungon transporti publik. Nëse do të ishte efiçent njerëzit nuk do ta merrnin makinën e tyre. Problem janë rrugët interurbane dytësore. Janë jashtë standardit. Mungon sinjalistika e duhur“, tha Artur sulçe, ekspert rrugor.

Për aksidentet rrugore autoritetet shqiptare në shumicën e kohës fajin e gjejnë tek drejtuesi i mjetit prandaj kanë investuar në blerjen e radarëve e dragerave për t’i ndëshkuar por nuk kanë investuar për të shtuar element sigurie në atë më kryesoren, rrugën.