Autoritetet vlerësojnë se ka kaluar më e keqja sa i përket zjarreve në qarqet Vlorë e Gjirokastër. Siç bëri të ditur sot Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në Vlorë janë tre helikopterë që po ndërhyjnë nga ajri për të mos lejuar prekjen nga zjarret të Parkut të Llogorasë. Gjithashtu, njoftoi se u shmang situata emergjente në Pashaliman ku ndodhet baza detare. Kjo falë angazhimit me një numër shumë të madh forcash, si dhe me helikopterë e zjarrfikëse. Fatkeqësisht, dje u shënua viktima e parë e zjarreve.
Një 64-vjeçar humbi jetën në fshatin Asim Zeneli të Gjirokastrës po tashmë gjendja përshkruhet si shumë e qetë e vatrat e mëdha u fikën.
Ekspertët nuk kanë dyshime se zjarret e këtyre ditëve në vendin tonë janë të qëllimshme. Ministri i Mbrojtjes, Peleshi tha se u ndaluan disa persona e e shtoi se ka të dhëna të mjaftueshme për të lidhur zjarret me emra konkretë. Po punohet duke analizuar si është e mundur që të ndizen kaq shumë vatra në të njëjtën kohë. Peleshi kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të informojnë e të denoncojnë në kohë çdo zjarrvënie pasi kështu bëhet një menaxhim më i mirë i situatës. Aktualisht, autoritetet presin ndihmë nga Holanda.
Drejt Shqipërisë do të vijnë shumë shpejt 2 helikopterë për të mbështetur operacionet për fikjen e zjarreve, një nga Çekia dhe një nga Holanda. Kjo është ndihma që mbërrin nga Bashkimi Europian në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Brukselit. Ndërsa zjarret pyjore vazhdojnë të prekin rajone të ndryshme në Mesdhe dhe Ballkanin Perëndimor, Komisioni Europian po mobilizon me shpejtësi mbështetje për të ndihmuar vendet në kufizimin e përhapjes së zjarreve dhe mbrojtjen e jetës dhe jetesës.
Edhe në Kosovë shënohet viktima e parë e zjarreve. Një burrë humbi jetën në Novosellë të Malishevës pasi tentoi të lokalizonte flakët e rëna në një stallë. Zjarre ka në shumë pjesë të tjera të vendit ku raportohen shtëpi e sipërfaqe pyjore të djegura. Disa persona u arrestuan për zjarrvënie të qëllimshme.
Zjarret iu afruan periferisë veriore të kryeqytetit grek, Athinë. Flakët po përhapen nga një shtëpi në tjetrën, në periferi të Varybobit dhe Acharnes. Televizioni shtetëror grek transmetoi pamje të banesave të djegura. Banorëve iu kërkua nga Mbrojtja Civile që të largohen. Ata u detyruan të ikin në panik e sipër teksa re të dendura tymi ishin të dukshme nga e gjithë Athina.