Bota

Çekia merr presidencën e radhës së BE-së!

Republika Çeke merr sot presidencën e radhës së Bashkimit Europian, në një kohë jo të mirë për Europën, kur të gjithë sytë janë kthyer nga  Ukraina. “Kjo presidencë, të cilën çekët e marrin nga Franca dhe do t’ia kalojnë Suedisë, nuk është planifikuar për mot të mirë, por të keq”, paralajmërojnë ekspertë nga Instituti për Çështjet Ndërkombëtare, me qendër në Pragë.

Praga zyrtare ka premtuar se do të vendosë ndihmën për Ukrainën në qendër të presidencës së saj, nga kriza e refugjatëve në rindërtimin e vendit në luftë, por edhe sigurinë energjetike europiane. Në një kështjellë, qeveria çeke do të presë sot komisionerët europianë, fillimisht për bisedime dhe më pas për një koncert, në vendin me 10,5 milion banorë dhe që iu bashkua BE-në në vitin 2004.

Republika Çeke, mbështetëse e fortë e sanksioneve kundër Rusisë brenda Bashkimit Europian ka pranuar rreth 400 mijë refugjatë ukrainas që nga fillimi i konfliktit, duke ofruar ndihmë financiare dhe ushtarake.

Kryeministri i djathtë Petr Fiala, ish-analist politik, i cili bashkëshkroi një libër mbi BE-në, tha se do të përpiqej të organizonte një samit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Por, ky samit, i cili do t’i propozonte Ukrainës një lloj plani Marshall mund të mbahet vetëm nëse lufta përfundon.

Drejtori i Universitetit të Nju Jorkut në Pragë, Jiri Pehe e konsideron jorealist projektin.

Konflikti vështirë se do të mbyllet para përfundimit të presidencës çeke. Çekët, thjesht do të përpiqen të organizojnë një samit për Ukrainën dhe të bindin të tjerët që të vazhdojnë të ndihmojnë këtë vend. Por, janë në pozicion të keq për të udhëhequr një debat mbi rimëkëmbjen ekonomike ose sigurinë e energjisë, sepse, përballë inflacionit të lartë, vendi ende nuk është anëtarësuar në zonën euro dhe varet nga energjia bërthamore, e refuzuar nga disa anëtarë të BE-së, përfshirë Gjermaninë. Vështirë se mund të ofrojë lidership në këto fusha.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, oferta e të cilëve për në BE e promovuar nga Praga dhe vende të tjera të Europës Lindore ka ngecur, do të jetë gjithashtu në qendër të vëmendjes.

Çekët janë tradicionalisht euroskeptikë dhe një sondazh i marsit nga agjencia STEM tregon se vetëm 36% e tyre janë të kënaqur me BE-në. Qeveria e Fialas është më pak euroskeptike se disa nga paraardhëset e saj.

Por, analistët vënë në dyshim aftësinë e tij për t’u distancuar nga Budapesti dhe Varshava, me të cilat ai ka lidhje të ngushta brenda grupit të Vishegradit, i cili përfshin gjithashtu Sllovakinë. Hungaria dhe Polonia kanë mosmarrëveshje me Brukselin për shkak të pozicioneve të tyre mbi çështjen e shtetit të së drejtës. Nënkryetarja e Këshillit Europian, Vera Jourova, e cila është çeke, kohët e fundit i kërkoi qeverisë të mbajë një qëndrim të qartë ndaj Hungarisë dhe Polonisë gjatë presidencës.