Bota

Çekia rekord të infektuarish me koronavirus

Në 24 orë, Republika Çeke regjistroi rreth 10 mijë raste të infektuarish me koronavirus, shifër që përbën rekord brenda një dite. Shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë, të publikuara sot, po ashtu tregojnë se në 24-orëshin paraprak 24 pacientë kanë vdekur nga koronavirusi.

Vendi me 10.7 milionë banorë ka konfirmuar gjithsej 149 mijë raste pozitive, që nga fillimi i pandemisë në muajin mars.

Gati 50 mijë prej tyre janë regjistruar javën e kaluar. Numri i viktimave ka arritur në 1 mijë e 230.

Spitalet në Çeki i shtynë operacionet jo të domosdoshme për t’u përqëndruar në rritjen e numrit të pacientëve me koronavirus. Qeveria çeke tha se kapaciteti i plotë spitalor mund të arrihet deri në fund të muajit.

Në fundjavë, ushtria çeke do të fillojë të ndërtojë një spital në një qendër ekspozitash së Pragë, për 500 pacientë. Një plan i ngjashëm është gati edhe për qytetin e dytë më të madh çek, Bërno.

Qeveria po ashtu është duke negociouar me Gjermaninë fqinje dhe disa vende të tjera për trajtimin e çekëve atje, nëse sistemi i tyre shëndetësor mbingarkohet.