Aktualitet

Celibashi thirrje partive për reformën zgjedhore!

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u bëri sot thirrje partive politike që të nisin punën për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore.

Partitë politike parlamentare dakordësuan krijimin e komisionit parlamentar të posaçëm për reformën zgjedhore. KQZ sjell në kujtesë të këtyre partive domosdoshmërinë për fillimin sa më parë të punës për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Zgjedhjet e ardhshme vendore nuk janë larg. Data 16 Prill 2023 është data e parë e mundshme për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. Data 14 Maj 2023 është data e fundit.

Përbërja dhe funksionimi i administratës zgjedhore, procedurat e nxjerrjes së rezultatit, financimi, ankimimet dhe sanksionet administrative, fushata në media përfshi edhe atë online, përdorimi i fondeve publike në fushatë, digjitalizimi, janë disa nga çështjet që KQZ vlerëson se duhet të marrin vëmendjen për reformim prej komisionit të posaçëm parlamentar.