Film & Tv

Ceremonia e çmimeve Oscar “u ndal” për Ukrainën, por për rrjetin nuk mjafton!

Në natën e ndarjes së çmimeve Oscar, mungoi fjalimi i shumëpritur i presidentit ukrainas Zelensky, i cili para se të merrte drejtimin e shtetit ka qenë aktor, por të pranishmit nuk e anashkaluan atë që po ndodh në Ukrainë. Fillimisht pati një minutë heshtjeje e reflektimi, shoqëruar me mesazhin e mbështetjes #standwithUkraine. Të rëndësishme fjalët e aktores amerikane, Mila Kunis, e lindur në Ukrainë.

Në javët e fundit, bota u shokua nga një pushtim i paprovokuar dhe nga një akt agresioni.

Partnerja e Ashton Kutcher-it, nuk e përmendi në emër vendlindjen. Në skenë për të prezantuar Reba McIntyre, Mila iu referua ngjarjeve të fundit globale që siç tha “po frustrojnë shumë prej nesh”.

Kur dikush është dëshmitar i forcës dhe dinjitetit të atyre që përballen me një shkatërrim të tillë, e pamundur të mos tronditet nga qëndrueshmëria e tyre. Njeriu nuk mund të mos preket dhe të frikësohet nga ata që gjejnë forcë për të vazhduar të luftojnë në këtë errësirë ​​të paimagjinueshme.

Kujtojmë se Kunis e bashkëshorti Kutcher kanë grumbulluar mbi 34 milion dollarë ndihma për Ukrainën.

Në momentin e përkrahjes për popullin ukrainas, në një monitor në sallën ku u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscar u shfaq një mesazh:

Edhe pse kinemaja përfaqëson një mjet të rëndësishëm për të shprehur anën humanitare në kohë lufte, në realitet, miliona familje në Ukrainë kanë nevojë për ushqime, trajtime mjekësore, ujë të pastër e shërbime emergjence. Burimet pakësohen dhe ne si komunitet global, mund të bëjmë më shumë. Ju kërkojmë të mbështesni Ukrainën, me të gjitha mënyrat.

Një mesazh i thjeshtë, me kohëzgjatje vetëm pak sekonda e që ngre polemika sidomos në rrjetet sociale ku të shumtë janë ata që kritikojnë vendimin e Academy Awards për t’i dhënë luftës në Ukrainë, më pak se një minutë kohë. I pari që mbeti i zhgënjyer, padyshim që është aktori Sean Penn, i cili priste një ndërhyrje nga Zelensky e më shumë hapësirë për Ukrainën. Ndër të paktët që thyen tabutë me thirrjen në skenë “Rroftë Ukraina!” ishte Francis Ford Coppola.

Prej ditësh flitej për lidhjen video të Zelensky-t ose më saktë për negociatat mes zyrës së tij e Akademisë që i druhej politizimit të ceremonisë. Sipas New York Times-it, stafi i presidentit ukrainas i kishte bërë presion Hollivudit që ai të shfaqej në edicionin e 94-rt për t’iu drejtuar miliona amerikanëve e një publiku edhe më të gjerë, por në orët e ceremonisë, asnjë gjurmë prej tij.